Kur në Janar qeveria e Kosovës përsëriti kërkesën për antarësim në INTERPOL u mendua se nuk i kishte ikur ende dufi dhe inati nga humbja e rëndë nëntorin e kaluar në Dubai; për më tepër se ishte disfata e katërt pas tërheqjes në momentet e fundit më 2017 dhe mopërfshirjes në rendin e ditës më 2015 dhe 2016. Gjithsesi u mendua se gjatë vitit, sidomos nëse punët nuk do t’i ecnin më mirë, Kosova do ta tërhiqte atë kërkesë që të shmangte disfatën e pestë diplomatike radhazi. Mirëpo njoftimi i ditëve të fundit mbi shqyrtimin e kësaj kërkese në Asamblenë e Përgjithshme të Interpol në Tetor në Kili është tejet zhgënjyese.
Ndaj, bashkohem me ekspertët dhe analistët e tjerë kundër këtij hapi të gabuar të pavend.
Nisur nga përvoja e gjatë në diplomaci, duke përfshirë dhe dosjen e antarësimit të Kosovës në UNESCO mund të pohoj se politika dhe diplomacia kosovare duhej detyrimisht të bënte analizën e hollësishme politike të gjendjes dhe shkaqeve që çuan në dështimin spektakolar vitin e kaluar, dinamikën e ndryshimeve të ndodhura gjatë këtij viti në Kosovë, Serbi dhe kudo në botë; mbi këtë bazë të vlerësohej pozita negociuese e palës së Kosovës krahasuar me një vit më parë, nëse është më e fortë apo më e dobët? Po lidhur me njohjen e saj, a ka shtim apo ngecje e në vende ca më keq akoma prirje për tërheqje të njohjejeve të mëparshme? Ndërkohë, roli i diplomacisë serbe, ruse, kineze dhe aleatëve të saj në Afrikë e në Azi, a është më i madh apo më i vogël? Po besimi dhe pritshmëritë ndaj BE-së a mos janë të ekzagjeruara? Kur në ekonomi BE-ja është vërtet “gjigand”, por në politikën e jashtme ajo mbetet ende “xhuxhmaxhuxh”! Kurse SHBA-të dihet se veç mbështetjes kanë dhe shumë vende kundërshtare me ndikim negativ te Kosova.
Çështja tjetër themelore lidhet më ofertën e përsëritur të Kosovës për antarësim në Interpol. Ku janë pikat e reja, të forta dhe të dobta si dhe plus/ minuset e Kosovës të krijuara gjatë këtij viti ? Çfarë ka ndryshuar në raportet e saj me Serbinë dhe sidomos me vendet afrikane dhe aziatike që janë kundër ose abstenuese ndaj Kosovës, madje dhe disa prej tyre që e kanë njohur?. Shkurt, çfarë ka ndryshuar për mirë brenda më pak se 12 muajve që shtyu Kosovën të shkojë në Kili?
Nisur nga sa sipër, politika dhe diplomacia kosovare duhej të llogariste me lapsin e mprehur mirë votat e mundshme. Konkretisht, sa nga 51 vendet që vjet votuan kundër dhe 16 abstenuan mund të ndryshojnë vendimin e tyre në Kili? Po 68 vendet që votuan pro a kanë ndonjë ndryshim? Me shkoqur akoma, çfarë do bërë që në Kili të ketë të paktën 20 vota më shumë se vitin e kaluar që të sigurohen 2/3 e vendeve të pranishme sipas pranisë së vjetme, se normalisht duhen dhe më shumë.
Aq më tepër se shumë prej këtyre vendeve janë nën ndikimin rus, kinez dhe serb. Kjo e fundit sepse ish – Jugosllavia e Titos ka qenë lidere e Lëvizjes së Vendeve të Paangazhuara ( non – aligned movement) në vitet 70 – 80 dhe lidhjet e tyre strategjike vijojnë e nuk mund të cënohen për hatër të Kosovës në Interpol. Realpolitika funksionon me interesa të përhershme e jo simpati të çastit.
Ky mbetet avantazh tjetër i madh për Serbinë në lobimin e saj të agresiv kundër Kosovës. Veç sa sipër, Serbia ka statusin e vendit vëzhgues në Aleancën e Karaibeve me 25 vende antare, 7 të asociuar dhe 28 vëzhguese! Pikërisht në atë pellg të madh shtetesh janë disa prej kundërsht arëve më të fortë të Kosovës.
Kjo analizë tregon qartë se oferta e Kosovës Interpol 2019 nuk ka kurfarë të reje pozitive e ca më pak premtuese, madje ka hapa prapa krahasuar me vitin e kaluar. Konkretisht, nuk ka ende liberalizim vizash me BE-në, s’ka përparim por prapaktheu në dialogun me Serbinë, sidomos pas vendosjes së taksës mbi mallrat serbe që në fakt muarën shkas nga dështimi me Interpoli lidhur me dialogun me Serbinë, ka dështuar Samiti i Berlinit dhe është shtyrë për në vjeshtë por pa garanci ai i Parisit; ka fletëthirje për 40 zyrtarë të lartë të Kosovës në Hagë, për çka dha dorëheqjen Kryeministri Haradinaj dhe më 8 shtator priten zjedhjet e parakohshme me disa të panjohura; veç kësaj, ka një vit që politika kosovare u përfshi në debatin shterpë për këmbime territori, dhe ka vijuar me thirje e kërkesa për ribashkim me Shqipërinë. Në këto rrethana, vendeve të ndryshme po mendojnë që të mos shpejtojnë në njohjen e Kosovës dhe antarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, pasi ajo mund të jetë ndoshta një shtet me Shqipërinë, apo kur nuk dihet fati i dialogut me Serbinë. Në këto kushte pasigurie ata fare mirë mund të zbatojnë parimin klasik të realpolitikës “ prit dhe shih” ose “ wait and see”
Sa për rolin dhe mbështetjen e vendit tonë dhe këtu gjasat janë shumë të pakta, nisur dhe nga vetë problematika jonë aktuale dhe besueshmëria e dobësuar.
Dakord, mund të thotë dikush, por ka ende tre muaj kohë për lobim dhe ku i dihet. Mirëpo siç e ka dëshmuar përvoja tre muaj janë fare të pamjaftueshëm në diplomaci e sidomos nisur nga specifikat e rastit tonë. Ndryshimi në diplomaci kërkon kohën e vet që të “ mbruhet” gatuhet” dhe të “ shitet” ca më tepër si sukses.
Ndaj, e them me shumë keqardhje se Kosova po vepron me një amatorizm të palejueshëm e nisur vetëm nga dëshira e mirë ( wishful thinking). Çfarë të keqe do të kishte të pritet të paktën një vit më shumë, të “qetësoheshin gjakrat” dhe të realizoheshin gjithë mungesat e përmendura më lart? Asgjë të keqe, aq më tepër që sidomos në diplomaci gabon kush mendon se fiton me yrysh dhe ca më tepër me inat; kursesi, ajo do “këllqe dhe takat” Pastaj, siç thotë populli, “uthulla e fortë prish enën e vet” Qofsha i gabuar!
Ekskluzivisht për argumentum.al
© Argumentum.