Zedhenesi i presidentit, Tedi Blushi, doli në një konferencë për median,pas disa deklaratave të njëpasnjeshme në keto 24 ore nga Presidenca.
Edhe pse kuvendi ka vlerësuar dhe realizuar ndryshimet e domosdoshme por në një kohë shumë të vonuar, presidenti i mirëpret ato dhe miraton ligjin pa asnjë vonesë duke shpresuar në mbarëvajtjen e procesit dhe funksikonit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi” deklaroi Blushi.
Më poshtë sqarimi i Institucionit të Presidentit të Republikës në lidhje me vendimmarrjen kushtetuese mbi ligjet e miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë
Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta në ushtrim të kompetencave të Tij, në mbështetje të nenit 84, 85 pika 1, dhe 93 të Kushtetutës, që prej marrjes së detyrës përgjatë veprimtarisë dhe vendimarrjes kushtetuese në procesin legjislativ të shqyrtimit dhe dekretimit të ligjeve, përgjatë periudhës korrik 2017 – korrik 2019:
Numri i ligjeve të paraqitura për shqyrtim dhe dekretim: 193 ligje, nga këto:
Ka Dekretuar me shpallje/miratim 156 ligje
Ka Dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend 14 ligje
Ka vendosur të lerë në heshtje 16 ligje
Aktualisht Presidenti i Republikës ka në shqyrtim 7 ligje (ligjet nr.44, 48, 50, 51, 52, 53, 54)
Presidenti i Republikës në ushtrim të kompetencave kushtetuese për shqyrtimin dhe për t’u shprehur me dekret për ligjet e përcjella nga Kuvendi i Shqipërisë, ka bërë vlerësimin e përputhshmërisë së këtyre ligjeve në raport me:
Parimet kushtetuese dhe dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë;
Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;
Aktet ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë ka aderuar apo ka ratifikuar;
Mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut;
Kuadrin ligjor aktual në fuqi në Republikën e Shqipërisë;
Parimet themelore të shtetit të së drejtës;
Interesin publik, mbrojtjen e pronës dhe të mirës publike, vlerave më të larta të shoqërisë dhe interesit kombëtar.
Presidenti i Republikës i garanton të gjithë se çdo ligj i miratuar nga Kuvendi, do të shqyrtohet me përgjegjësi të plotë.
Presidenti i Republikës, me veprimtarinë dhe kompetencën që i njeh Kushtetuta, nuk do të lejojë të bëhet pjesë e rendit juridik vendas, ligje që:
– Nuk respektojnë frymën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë;
– Cenojnë në mënyrë flagrante parimet kushtetuese, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut;
– Vendosin sadopak në rrezik interesin publik, apo nuk janë në harmoni me kuadrin rregullator në fuqi.
Presidenti i Republikës në ushtrim të kompetencave të Tij, ka dekretuar me shpallje/miratim të 3 (tre) ligjeve të miratuara nga Kuvendi
Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta në ushtrim të kompetencave të Tij, në mbështetje të nenit 84 dhe 93 të Kushtetutës, ka dekretuar me shpallje/miratim të 3 (tre) ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, dhe konkretisht:
- Dekret nr. 11241, datë 30.07.2019, “Për shpalljen e ligjit nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”;
- Dekret nr. 11243, datë 30.07.2019, “Për shpalljen e ligjit nr. 55/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”;
- Dekret nr. 11244, datë 30.07.2019, “Për shpalljen e ligjit nr. 57/2019 “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”.
Presidenti i Republikës në ushtrim të kompetencave të Tij, me Dekretin nr. 11242, datë 30.07.2019, ka miratuar Shpalljen e ligjit nr. 47/2019
Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta në ushtrim të kompetencave të Tij, në mbështetje të nenit 84 dhe 93 të Kushtetutës, me Dekretin nr. 11242, datë 30.07.2019, ka miratuar; “Shpalljen e ligjit nr. 47/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”;
Presidenti i Republikës, që prej muajit janar-shkurt 2017, ka insistuar në vijimësi për realizimin e ndryshimeve të domosdoshme ligjore të nenit 221 të këtij ligji shumë të rëndësishëm për Reformën në Drejtësi dhe ngritjen dhe funksionimin e organeve të reja që do të bënin të mundur plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhe emërimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Problematikat e zbatimit të kësaj dispozite ligjore dhe pamundësia reale e disa prej organeve të sistemit të drejtësisë për të zbatuar këtë dispozitë të ligjit (nenit 221) në mënyrën se si ato ishin parashikuar u konstatua që në janar 2017 moment ky kur u hodh shorti i parë nga Kuvendi për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Në këtë dispozitë të ligjit përcaktoheshin kushtet dhe kriteret që duhet të plotësonin kandidatët për t’u përfshirë në shortin për tu zgjedhur anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe procedurat e përzgjedhjes së këtij organi.
Organet respektive të asaj kohe (Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, Sekretari i Përgjithshëm i KLD-së) që duhej të propozonin, apo të cilave ju është kërkuar propozimi i kandidaturave për hedhjen e shortit për zgjedhjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në këto 3 vjet nuk kanë patur të gjithë mundësinë për të zbatuar nenin 221 në mënyrë të unifikuar, pasi jo të gjitha organet kishin në përbërjen e tyre, kandidatë që kishin përfunduar Shkollën e Magjistraturës, siç e kërkonte domosdoshmërisht kjo dispozitë ligjore që sot po ndryshon.
Zbatimi rigoroz i kësaj dispozite diktonte problematikë në realizimin e shortit dhe kufizimin e numrit të kandidatëve për tu zgjedhur anëtar të KED.
Paqartësia dhe pamundësia e zbatimit praktik dhe në kohën e duhur të nenit 221, apo e dispozitave të tjera të ligjit nr. 115/2016, që u konstatuan më pas nga Gjykata Kushtetuese si antikushtetuese me Vendimin nr.41, dt 16.05.2017 dhe Vendimin nr.78, datë 12.12.2017, kanë provokuar gjithmonë jo vetëm debat politik e publik, por veçanërisht kanë shkaktuar problematika thelbësore duke penguar zbatimin rigoroz të procedurave ligjore për hedhjen e shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, duke mundësuar bllokimin e këtij organi të rëndësishëm e për rrjedhojë duke pamundësuar plotësimin e vakancave të Gjykatës Kushtetuese dhe zgjedhjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është një organ shumë përcaktues për integritetin e sistemit të drejtësisë. Ky organ është bllokuar për dy vite radhazi në mënyrë të pajustifikueshme pavarësisht nga përpjekjet sistematike të Presidentit Meta jo vetëm që prej marrjes së kësaj detyre, por dhe kur ishte Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.
Presidenti i Republikës ka kërkuar në vijimësi përmirësimin e dispozitave të ligjit nr. 115/2016 dhe plotësimin e vakumit të krijuar nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese që kanë shfuqizuar disa dispozita të ligjit nr 115/2015 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Më në fund, pas 30 muajsh, Kuvendi me ligjin nr. 47/2019, miratuar në datë 18.07.2019, ka përmirësuar nenin 221 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe ka plotësuar vakumin ligjor.
Edhe pse Kuvendi i Shqipërisë ka vlerësuar dhe ka realizuar ndryshimet e domosdoshme në ligjin nr. 115/2016 në një kohë shumë të vonuar, sërish Presidenti i Republikës i mirëpret ato, dhe për këto arsye me Dekretin nr.11242, datë 30.07.2019, ka vendosur shpalljen dhe miratimin e këtij ligji pa vonesë, duke shpresuar në mbarëvajtjen e procesit të përzgjedhjes dhe mirëfunksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
© Argumentum