Në varrezat Dëshmorët e Kombit, u zhvillua sot një ceremoni përkujtimore me rastin e 10 vjetorit të rënies në krye të detyrës të Dëshmorëve të Atdheut, Fatos Xhani, Kastriot Feska, Simir Duçkollari e Altin Dizdari, ish punonjës të Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Ata humbën jetën në operacionin e Policisë me 7 gusht të vitit 2009, kur efektivët e Njësisë Operacionale të Policisë së Shtetit, ndërhynë në zonën e plazhit për të arrestuar Dritan Dajtin i cili ishte në kërkim, pasi ai ishte dënuar për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo, në vitin 1999 në Tiranë.
“Dhe ende sot shpirti i tyre nuk gjen paqe deri në dhënien e drejtësisë së merituar për dorën vrastare”, ishin fjalët e zv/drejtores së Përgjithshme të Policisë, Aida Hajnaj.
“Sot është një ditë e veçantë, ditë dhimbjeje, krenarie dhe reflektimi, dhe ndjej se jo vetëm unë, por cilido prej jush sot, do ta kishte të vështirë për të radhitur fjalët në nderim të veprës dhe sakrificës më sublime të kolegëve Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Sajmir Duçkollari e Altin Dizdari.
Ata sot nuk janë fizikisht mes nesh, mes të dashurve të tyre, por emri i secilit prej tyre është gdhendur me gërma të arta në memorjen e historisë, në pjesën më të lavdishme të saj. Ata janë nderi dhe krenaria jonë, e familjarëve të tyre, ata sot e përjetë janë Nderi i Kombit.
Vepra sublime e katër kolegëve që ne përkujtojmë sot, si ajo e qindra dëshmorëve të tjerë të Policisë, është burim frymëzimi për gjithë brezat, shembull i sakrificës, dinjitetit dhe përkushtimit, duke mos kursyer as veten për të mbrojtur jetën.
Fatosi, Kastrioti, Altini dhe Sajmiri 10 vite më parë , në Durrës dhanë jetën gjatë një operacioni shumë të vështirë për kapjen e një personi shumë të kërkuar. Ata ishin oficerë të ndershëm, të përkushtuar, të përgjegjshëm për detyrën, ndaj ata sot nderohen me krenari nga të gjithë.
Kolegët tanë që tashmë prehen në altarin e kombit, u ndanë prej nesh nga plumbat e krimit të organizuar, dhe ende sot shpirti i tyre nuk gjen paqe deri në dhënien e drejtësisë së merituar për dorën vrastare. Këto momente përkujtimi për ta, padyshim që janë momente shumë të dhimbshme, shumë emocionuese. Ne humbëm katër kolegë, ndër më të mirët, familjarët humbën babin e devotshëm, bashkëshortin e virtytshëm, vëllain shembullor. Qytetarët humbën shëmbëlltyrat e qytetarisë së këtij vendi.
Të nderuar familjarë të dëshmorëve të Atdheut! Ju nuk jeni vetëm tani e asnjëherë. Ju jeni pjesë e jona dhe dera e familjes sonë të madhe, Policisë së Shtetit, nuk do te jetë kurrë e mbyllur. Vëmendja e shtuar për ju nga Qeveria dhe Ministri i Brendshëm, janë ngushëllim dhe lehtësim i dhimbjes që kolegët tanë lanë pas.
Shumë fëmijë të Dëshmorëve të Policisë, po vijojnë rrugën e baballarëve të tyre dhe ky është një tjetër motivim për organizatën tone, në luftën ndaj krimit. Dëshmorët e Policisë, janë heronjtë e vërtetë të realitetit të sotëm, pasi duke sakrifikuar gjënë më të shtrenjtë, jetën e tyre, e bëjnë këtë vend më të sigurt për të jetuar dhe punuar. Ata janë shembuj frymëzimi dhe motivimi për të gjithë ne”, tha Hajnaj.