Ndryshe nga vendimi për taksat, që u njoftua dhe u arsyetua me synime politike, ky vendim i qeverisë së Kosovës erdhi pa paralajmërim publik për udhëtarët dhe pa shpjegim, se pse reciprociteti ndodh tani.
Nëpunësi i doganës më bëri të ditur se në rastin tim nevojitet vetëm letërnjoftimi dhe se nuk mund të më lejojë, nëqoftëse nuk e kam me vete, megjithëse unë kisha pasaportën me vete. Ai ishte po aq i hutuar se dhe unë. Më tha se vendimi ka hyrë në fuqi me 1 gusht por nuk e di pse”, shpjegon për DW situatën nga aeroporti i Prishtinës Jovana Radosavljeviç, e cila me 4 gusht, si shumë herë të tjera më parë, po nisej nga ky aeroport duke përdorur pasaportën serbe.
„Ai më tha se janë udhëzime të qarta: Qytetarët e Republikës së Serbisë me banim jashtë Kosovës nuk mund të kalojnë kontrollin e pasaportës pa treguar letërnjoftimin”, shpjegon më tej Radosavljeviç atë që në atë moment asaj iu duk një praktikë e çuditshme, dhe që pas disa ditësh do të behëj lajm në shumicën e mediave serbe, por vetëm pasi u mor vesh se i njëjti vendim po zbatohet edhe nё pikëkalimet tokësore. Marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës ndodhen në rënie që nga nëntori i vitit të kaluar, kur me marrjen e vendimit për vendosjen e taksës nga 10% fillimisht në 100 % për importin e produkteve nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina u ndërpre dialogu në Bruksel.
Shumica e rreth 30 marrëveshjeve, që janë rezultat i përpjekjeve diplomatike të BE, kanë hyrë në fazë regresi, kështu që jo vetëm disa prej tyre nuk zbatohen, por komplikohet edhe zbatimi i atyre, që deri diku kanë funksionuar. Shembulli i fundit është liria e lëvizjes.
Në dallim nga taksa, a është ky vendim në përputhje me marrëveshjen?
Në një moment gjatë javës së kaluar, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, pa njoftim paraprak, vendos të ndryshojë politikën për policinë kufittare dhe ndalon në pikëkalime përdorimin e pasaportave serbe, që u janë lëshuar personave me banim në qytetet e Serbisë qendrore. Pasaportat serbe të lëshuara për shtetasit e Serbisë me banim në territorin e qyteteve të Kosovës janë ndaluar që në qershor të vitit 2017. Kosova thotë se vendimi i fundit është në përputhje me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes nga viti 2011.
Marrëveshja për lirinë e lëvizjes në fakt nuk përfshin asnjë marrëvshje në lidhje me pasaportat. Siç i shpjegoi negociatori i atëhershëm serb Borko Stefanoviç në vitin 2017 korrespondetes sё DW-së, në atë fazë negociatat kanë qenë thjesht teknike dhe nënkuptonin njohjen e të dyja palëve me paraqitjen e dokumentave në përdorim. Në atë kohë, siç shpjegoi ai, janë këmbyer „modeli” i letërnjoftimeve, patentave të shoferit dhe të certifikatave nga regjistri i gjendjes civile për të dyja palët. „Serbia nuk ka e diskutuar rëndësinë e pasaportave si dokument udhëtimi, dhe as na ka shkuar në mendje që të vemë në pikëpyetje vlefshmërinë e domumenteve tona”, shpjegon Stefanoviç.
Edhe interpretimi i presidentit Aleksandar Vuçiç është i ngjashëm. Ёshtё e vetёkuptueshme se: „nëse keni të drejtë të hyni në pikëkalim me letënjoftim, keni të drejtë që këtë ta bëni edhe me pasaportë.” Megjithatë këtë nuk e nënkuptojnë autoritetet serbe, kur është fjala për poseduesit e dokumentave kosovare. Megjithëse marrëveshja për lirinë e lëvizjes ua ka lehtësuar mjaft udhëtimin poseduesve të dokumentave kosovare edhe në Serbi dhe nëpër Serbi, duke lënë pas dore serbët e Kosovës dhe mundësinë e tyre për të udhëtuar në jug të Ibrit me dokumenta serbe, Serbia nga procedurat e posaçme për hyrjen e poseduesve të dokumenteve të tilla në territorin e Serbisë i përjashton pasaportat e Kosovës.
Me lëshimin e një dokumenti të veçantë për hyrje/dalje personat me letërnjoftim kosovar, patentë shoferi, apo në rastin e minorenëve me nxjerrjen e një çertifikate lindjeje mund të hyjnë në Serbi, por jo me pasaportën kosovare. Të njëjtim interpretim të marrëveshjes bëjnë tani autoritetet kosovare. Pasaportat nuk janë pjesë e marrëveshjes, që do të thotë se pasaportat nuk pranohen si dokument i vlefshëm udhëtimi. Është e rëndësishme të theksohet se në bazë të marrëveshjes edhe Kosova ka të drejtën e procedurës së lëshimit të dokumentave për hyrje/dalje, që mund ta komplikojë edhe më tej hyrjen në Kosovë. Gjithashtu Kosova edhe pse nuk ka qenë e detyruar me marrëveshje deri tani i ka pranuar pasaportat serbe, sepse udhëtarëve kur kanë hyrë u janë legalizuar dokumentat e udhëtimit me vulën „Republika e Kosovës”, që është vula e shtetësisë, që për Kosovën ishte e rëndësishme për ta demonstruar.
Kush pi e kush paguan?
Në dallim nga vendimi për taksat, që u njoftua dhe u arsyetua me synime politike, ky vendim i qeverisë së Kosovës erdhi pa paralajmërim publik për udhëtarët dhe pa shpjeguar se pse reciprociteti vendoset tani.
„Që as vetë nëpunësit dhe as udhëtarët, që e përdorin relativisht shpesh këtë aeroport për shkak të fluturimeve më të shpeshta dhe më të lira, nuk kanë qenë në dijeni për vendimin e ri, e konfirmoi edhe nëpunësi në kontrollin e pasaportave, sepse ka pasur disa raste, që udhëtarët kanë humbur fluturimin, sepse nuk kishin dokumentat e kërkuara, edhe pse për këtë nuk ishin informuar”, thotë për DW Radosavljeviç, e cila është drejtore e organizatës Nova Nismë Sociale nga Mitrovica.
Menjëherë pas lajmit për ndalimin e pasaportave serbe reaguan edhe shqiptarët nga Bujanovci, Medvexha dhe Presheva duke kërkuar që të përjashtohen nga ky vendim, sepse shumë prej tyre janë „bllokuar” në Kosovë, ku vizitojnë familjet me rastin e Bajramit, ose duhet të nisen nga aeroporti i Prishtinës, kur të kthehen nga pushimet e verës
Vendimi duket si politik, por përveç lajmërimit publik për marrjen e këtij vendimi, nuk pati asnjë „marrje përgjegjësie” nga asnjë zyrtar nga Prishtina, për futjen e një praktike të re kaq të papritur. Qeveria e Kosovës pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Hardinaj, ndodhet në një situatë të paqartë dhe shtrohet pyetja se nga kush është autorizuar marrja e një vendimi të tillë.
„Mua më duket e çuditshme, që ky vendim jepet tani. Besoj se ka të bëjë me reciprocitetin dhe marrëveshjën për lirinë e lëvizjes, që është nënshkruar në 2011, por nuk e kam të qartë përse tani. Rradhët e njerëzve, që krijohen në kalimet kufitare në periudhën e verës mund të jenë shkaku, sepse pala kosovare pretendon se Serbia është përgjegjëse për rradhët e gjata. Ky vendim, për mendimin tim, mund të ketë të bëjë vetëm me zhgënjimin e Prishtinës, që buron nga marrëdhëniet me Serbinë dhe dialogun e pajetë në Bruksel”, mendon Radosavljeviç. Ky vendim ndikimin më negativ do ta ketë tek fëmijët. Serbia nuk jep certifikata lindjeje me fotografi dhe nuk është e sigurtë, nëse autoritetet serbe pranojnë të lëshojnë certifikata ndërkombëtare me destinacion territorin e Kosovës.