Pasqyrimi i shqetësimeve të komunitetit të gazetarëve lidhur me projektin e qeverisë për antishpifjen në Shqipëri edhe në mediet ndërkombëtare ka sjellë edhe reagimin e presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Meta shprehet i bindur se çdo goditje ndaj institucionit të medias, është sulm ndaj demokracisë, ndaj e kërkon marrjen në shqyrtim nga ana e qeverisë dhe Parlamentit të sugjerimeve të të shprehura nga komuniteti i gazetarëve.
Sipas Metës liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut dhe shtyllë e pazëvendësueshme për një shoqëri moderne demokratike, si dhe për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike.
Referuar Indeksit Botëror të Lirisë së Medias, Meta tha se zbritja me 7 vende, kjo sipas konkluzioneve të organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”; raporti i “Freedom House”, Konkluzionet e “Misionit për lirinë e medias” të shtatë organizatave globale, raporti paraprak i OSBE/ODIHR janë këmbana të forta alarmi për gjendjen e përkeqësuar dhe tepër shqetësuese në të cilën ndodhen sot gazetarët në Shqipëri.
Presidenti Meta garanton komunitetin e gazetarëve se do të jetë përherë në mbështetje të tyre kundër çdo tentative që synon të cënojë fjalën e lirë dhe pavarësinë e medias, që rrezikon të kthejë vendin 30 vite pas.
“Pa media të lirë dhe të pavarur, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e pamundur.”
/Ora News.tv/