Paratë e të korruptuarve që janë fshehur jashtë vendit rrezikojnë të zbulohen. Pak ditë më parë gazeta tregoi sesi një pjesë e mirë e pushtetarëve të përfshirë në afera u drejtohen Londrës, Qipros dhe Maltës për të fshehur paratë e tyre të pista. Këta tre vende janë kthyer në qendra të fshehjes së pasurive të vendosura nga krimi.
Por duke qenë se Struktura e Posaçme Antikorrupsion është pranë ngritjes dhe pritet që ajo të funksionojë si homologia e saj kroate USKOK, gjasat janë që do të ketë hetime e aksione për të gjurmuar paratë e pushtetarëve jashtë Shqipërisë. Me qëllim që diçka e tillë të realizohet me sukses, qeveria ka hartuar edhe një plan.
Në strategjinë e Ministrisë së Drejtësisë për vitet 2019-2023 është përcaktuar si synim që të rritet edhe më tej bashkëpunimi me agjencitë ndërkombëtare.
Madje aty janë veçuar pesë agjenci me të cilat pritet të kryhen operacione të përbashkëta kundër krimit ekonomik e financiar. Europol, Interpol, Frontex, Egmont dhe Carin do të jenë organizatat ndërkombëtare me të cilat autoritetet tona ligjzbatuese pritet të gjurmojnë paratë e të korruptuarve jashtë vendit.
“Rritja e bashkëpunimit operacional me vendet e treta dhe organizatat /rrjetet mbikombëtare të zbatimit të ligjit (duke përfshirë, ndër të tjera, Europol, Interpol, Frontex, Egmont, Carin, etj).
Siç është theksuar në Raportin e Bashkimit Evropian të vitit 2016, “Shqipëria ka një marrëveshje operacionale bashkëpunimi me Europol dhe që nga viti 2009 një oficer ndërlidhës në selinë e Europol. Shqipëria mbetet një partner reaktiv dhe jo proaktiv në bashkëpunimin ndërkombëtar policor. Trende të ngjashme janë vënë re edhe në lidhje me bashkëpunimin me Interpol”.
Shkëmbimi i informacionit do të vazhdojë nga bashkëpunimi në nivel operacional, duke përfshirë operacionet e përbashkëta policore. Treguesi do të vlerësohet duke matur numrin e përgjithshëm të operacioneve të përbashkëta të Policisë Europol dhe Interpol në fushën e luftës kundër krimit financiar dhe ekonomik në të cilin Shqipëria merr pjesë në mënyrë aktive”, thuhet në planin e Ministrisë së Drejtësisë.
Trajnime të përbashkëta me agjencitë ndërkombëtare
Qeveria ka planifikuar po ashtu që gjatë viteve 2020-2023 të kryejë trajnime të përbashkëta me pesë agjencitë e lartpërmendura me qëllim që të arrihen rezultate sa më të mira në luftën kundër krimit ekonomik dhe financiar.
Po ashtu do të kryhen takime dhe analiza të përbashkëta për zbatimin e marrëveshjeve dhe rezultateve të arritura, me qëllim që të rritet transparenca dhe besimi mes agjencive homologe të zbatimit të ligjit.
Nga ana tjetër, një tjetër masë që Ministria e Drejtësisë ka planifikuar të ndërmarrë për të pasur sukses në gjetjen e parave të pista të pushtetarëve të fshehura jashtë vendit është edhe ajo e ngritjes së Zyrës për Rikuperimin e Aseteve.
Në këtë mënyrë qeveria synon që të përmirësojë kuadrin ligjor për ndjekjen penale të krimit ekonomik dhe financiar. Për zbatimin e kësaj mase do të angazhohet Ministria e Ekonomisë dhe Financave, e cila duhet që brenda 3-mujorit të fundit të këtij viti të bëjë gati draftin për ndërhyrjet në ligj, për ta miratuar më pas dhe për të ngritur Zyrën për Rikuperimin e Aseteve.