Konstituohet Këshilli Bashkiak i Shkodrës, zgjidhet kryetarja e këtij Këshilli, Brisela Kadia me 42 vota pro, ndërsa dy prej tyre janë shpallur të pavlefshme.
Po ashtu në këtë mbledhje janë zgjedhur edhe tre nënkryetarët Arvid Osja, Tereze Brigja dhe Suada Selimaj.
Kryetarja e Re e Këshilli Bashkiak i Shkodrës, Brisela Kadia deklaroi se në ushtrimin e detyrës do të jetë e drejtë dhe e paanshme.
“Ndihem e nderuar të marrë këtë pozicion. Ky këshill, fillon punë në një situatë të pazakonte, ku disa parti kanë lënë jashtë votuesit e tyre. Në këshill, ftoj këshilltarët të bëjnë oponencën e atyre që janë jashtë këshillit. Do të punojmë për të gjithë. Kjo detyrë që më është besuar do të jem e drejtë dhe e paanshme ne të drejtë të ligjit për të shërbyer për Shkodrën dhe shkodranët”, ka thënë ndër të tjera Kadia.
Pas përfundimit të seancës së konstituimit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, mbështetës të PD-së kanë sulmuar anëtarët e këshillit që dilnin nga Universiteti ku u zhvillua mbledhja.
Deputeti Tom Doshi pasi u sulmua nga mbështetësit e PD në Shkodër theksoi për mediet se ata që nuk morën pjesë në zgjedhje nuk kanë të drejtë të protestojnë.
“Sot mora pjesë në mbledhjen e këshillit bashkiak si aleat i PS”- ka thënë Doshi./ata