Prokurorja speciale e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva është dërguar në paraburgim 30 ditësh, si e dyshuar në rastin “Reket”.
Vendimi është marrë nga gjykatësi i procedurës paraprake duke pranuar kështu kërkesës e Prokurorisë Publike për Krim të Organizuar për masën e paraburgimit për drejtuesen e Prokurorisë Speciale.
Janeva ka të drejtë të apelojë vendimin përmes avokatit të saj në Këshillin Penal.
Gjykata nuk ka marrë parasysh kërkesën e palës mbrojtëse për lirimin e Janevës për shkak të vdekjes të nënës së saj. Nga gjykata kanë thënë se ajo do të dërgohet në ceremoninë mortore, por nën shoqërim të policisë
Më herët gjatë ditës, kryeprokurori publik, Lubomir Joveski, bëri të ditur për mediat se nga dëshmitë e siguruara deri më tani, ka bazë për zgjerimin e hetimit për rastin “Reketi” edhe ndaj Katica Janeva, e cila po dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Ju informojmë se Prokuroria Themelore e ka zgjeruar hetimin duke përfshirë edhe prokuroren publike që është arrestuar dhe është kërkuar masë paraburgimi. Në bazë të dëshmive të siguruara është vërtetuar se prokurori e ka shfrytëzuar pozitën zyrtare që e ka fituar në bazë të Ligjit për Prokurori Speciale, duke përfituar kështu për vete dhe për persona të tjerë pronë në sasi të konsiderueshëm”, tha Joveski.
“Njëri nga të dyshuarit në rastin ‘Reketi’,duke shfrytëzuar ndikimin ndaj prokurores speciale, ka kërkuar që të shfuqizohet masa e paraburgimit për njërin ndaj të akuzuarve në rastin ‘Perandoria’. Prokurorja speciale duke marrë shumë të madhe të mjeteve, ka pranuar që njërit nga të akuzuarit t’ia shfuqizojë masën e paraburgimit, duke ia zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak”, bëri të ditur për mediat kryeprokurori Lubomir Jovevski.