Kosova mund të jap shembullin e parë në historinë shqiptare me një femër kryeministre.
Kandidatja Vjosa Osmani mbetet kandidatura më e fortë ndër radhët e LDK në Kosovë.
Ajo është deputetja më e votuar në Kosovë si dhe është diplomuar në Universitetin e Pitsburgut në SHBA. Është nga Mitrovica dhe militante e fortë për mbrojtjen e territorit të Kosovës.
Kosova po shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Të gjitha partitë janë fokusuar të fushata, tek koalicionet parazgjedhore dhe natyrisht tek emri për kandidat për kryeministër.
Deri tani, sipas sondazheve, duket se LDK do jetë favorite e fitores së pushtetit, por edhe për një fakt tjetër. LDK do të propozojë kandidate për kryeministre një femër.
Po kush është kandidatja për kryeministre e Kosovës?
Është deputete e Kuvendit të Kosovës për tri mandate. Dy zgjedhjet e fundit të mbajtura në Kosovë e nxorën Vjosën si gruan deputete më të votuar në historinë e Kuvendit të Kosovës. Ajo është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, në R.I.T Kosovo dhe në Universitetin e Pitsburgut, në SHBA.
Vjosa Osmani – Sadriu u lind më 17 maj të vitit 1982, në qytetin e Mitrovicës, Kosovë. Shkollën fillore dhe atë të mesme, e përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm në qytetin e saj të lindjes. Studimet themelore i përfundoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet master dhe doktoraturën e përfundoi në Universitetin e Pitsburgut, në SHBA, ku u dallua në mesin e qindra studentëve ndërkombëtarë. Përgjatë të gjitha fazave të studimit, ajo ishte bursiste. Si profesoreshë universiteti, në Kosovë ajo ligjëron lëndë nga fusha e së Drejtës Ndërkombëtare, ndërkaq në Amerikë ligjëron lëndën “Shtet-ndërtimi dhe e Drejta: Përvoja e Kosovës”.
Aktualisht është kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike. Më herët ka shërbyer si Kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane dhe nënkryetare e Komisionit për Reforma Kushtetuese në Kosovë.