Shqipëria pritet të marrë një sinjal për hapjen ose jo të negociatave në tetor nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së, të cilit po diskutojnë me homologët e tyre nga rajoni për perspektivën e zgjerimit.
Teksa zhvilluan një takimin joformal me ministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Helsinki, ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajcak , vendi i të cilit mban presidencën e radhës së OSBE-së, shprehet se në tetor duhet të jepet sinjal i fuqishëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, përsa i përket çeljes së negociatave.
“Do të kemi më shumë zhvillime në tetor në Këshillin e përgjithshëm. Mendoj se do të ishte një sinjal i fuqishëm se sa serioz jemi ne. Unë shpresoj që ne të jemi serioz”, ka thënë Lajcak.
I pyetur nga gazetarët se çfarë kuptonte me sinjal të fuqishëm dhe sa shans kishte për hapjen e negociatash, Lajçak tha: “Shpresojmë të ketë një ftesë sepse do të kishte pasoja serioze për të ardhmen e procesit të zgjerimit”.
Lajcak shpreson që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të marrin njëkohësisht dritën jeshile për çeljen e negociatave duke e parë si prove serioziteti të Bashkimit Evropian lidhur me procesin e zgjerimit dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor. Por bashkëkombasi i tij, ish eurodeputeti sllovak Eduard Kukan në një intervistë pak ditë më parë u shpreh skeptik për Shqipërinë.
Kukan mendon se nisur nga situata aktuale politike në Shqipëri, çelja e negociatave për vendin tonë do të ishte joreale.
“Ata duhet të zbatojnë një reformë të madhe gjyqësore, opozita ka bojkotuar Parlamentin, e mbi të gjitha shqiptarët nuk po gjejnë kompromise”, thekson ai.
Ndërsa për ministrin e jashtëm të Lituanisë, Linkevicius, procesi i zgjerimit duhet të drejtohet nga performanca e shteteve që duan ti bashkohen BE-së dhe jo nga kalendari.
“Nuk duhet të ketë një rrugë të shpejtë, por duhet të plotësojnë kërkesat. Sinqerisht ky proces, duke folur për integrimin e Ballkanit Perëndimor do të thosha se është mirë të jenë pjesë e jona. Por procesi duhet të drejtohet nga performanca jo nga kalendari. Ka kushte që duhen plotësuar dhe mund të përmend këtu në linjë me BE, politikën e përbashkët për sigurinë, e cila është e rëndësishme. Vendet që duan ti bashkohen klubit duhet t’i përgjigjen rregullave, vlerave dhe parimeve. Nuk është rasti gjithmonë, por në përgjithësi ne shpresojmë që procesi të shkojë në rrugën e duhur dhe ne do e mbështesim”, ka thënë, ministri,
Gjithashtu, në fokus të takimeve do të jetë edhe situata në rajon dhe marrëdhëniet dypalëshe mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.