Banka Botërore, në një raport të publikuar së fundmi, thotë se Shqipëria është një vend ku fondet në formë grantesh në infrastrukturë, alokohen politikisht nga ana e qeverisë qendrore, me qëllimin për të përfituar politikisht, pra vota. Të dhënat e Bankës Botërore i referohen viteve 2010-2015 dhe siç e tregon qartë edhe grafiku, problematika është e dukshme.
Me ngjyrën bojë qielli paraqiten fondet e kanalizuara nga qeveria qendrore për pushtetin lokal që e mbështet politikisht, ndërsa me ngjyrën lejla ato fonde që janë alokuar për pushtetin lokal që është në duart e partive opozitare.
Grafiku tregon se viti më problematik është 2013-a, kur u ndërruan edhe pushtetet; pra vit zgjedhor. Problematika sa i përket 2013-ës në këtë drejtim është ngritur nga një sërë organizmash të tjerë ndërkombëtarë. Por, ka vazhduar edhe përtej 2013-ës.
Kështu, të dhënat më të fundit në dispozicion flasin për rreth 4100 lekë për frymë fonde në infrastrukturë për bashkitë e majta, në rastin konkret, dhe vetëm 3400 lekë për frymë në bashkitë e djathta. Viti me më shumë barazi duket të jetë 2011-a, shkruan scan tv.
Mes rreshtave të raportit, Banka Botërore thotë se, politikanët shqiptarë diferencojnë grupet ku alokojnë fondet. Pra, ata mund të kanalizojnë financimet edhe te grupimet me të ardhura të mesme dhe të larta, në rast se këto grupime kanë gjasa që t`i votojnë, duke lënë kështu pa financime, shtresën më të varfër, ata të cilët nuk i votojnë.