Gjithnjë e më shpesh shteti ndërhyn në punën e gjykatave. Kjo është arsye e mjaftueshme për shumë shoqata të avokatëve që të bojkotojnë pritjen e këtij viti tek Presidenti i shtetit.
Sipas gazetës “Cumhuriyet”, 52 nga 79 shoqatat e avokatëve e kanë bojkotuar pritjen, që zhvillohet çdo vit në hapjen e vitit gjyqësor, pas pushimeve të verës. Dhomat e avokatëve kritikuan që ngjarja do të mbahej në pallatin presidencial, duke minuar kështu ndarjen e pushteteve.
“Në Turqi, është shkatërruar një pjesë e madhe e lirive bazë, mbi të gjitha liria e mendimit,” u bë e ditur në një deklaratë të lexuar para një gjykate në Ankara nga shoqata lokale e avokatëve. Të drejtat e mbetura u paraqitën si “favore”.
Presidenti Rexhep Tajip Erdogan i kundërshtoi akuzat dhe i përshkroi ato si “të pabaza”. Bëhet fjalë për “supozime fanatike dhe provokuese”, tha ai. Më tej, ai shtoi: “Ky vend nuk më përket mua, është, siç them gjithmonë, Shtëpia e Popullit. Dhe të gjitha institucionet e këtij shteti kanë të drejtë ta përdorin atë lehtësisht”.
Aeroporti i Stambollit
Shkarkuar ose transferuar
Pretendimet e juristëve turq i konfirmon edhe një avokat i Stambollit, në bisedë me Deutschlandfunk. “Gjykatësit nuk kanë më mundësi të vendosin në mënyrë të pavarur. Shpesh ata i shkarkojnë”. Si shembull ai përmend një objekt prestigjioz të Erdoganit, ndërtimin e aeroportit të ri të Stambollit. Pas padive të para, puna u ndal. Pas kësaj, gjyqtarët i patën shkarkuar ose transferuar. Gjyqtarët e rinj të sapoemëruar i ndryshuan menjëherë vendimet e shkallës së parë dhe punimet për aeroportin vazhduan.
Situata në sistemin gjyqësor turk është përkeqësuar nga një ndryshim në sistemin politik në Turqi. Me zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në qershor 2018, Turqia kaloi plotësisht në një sistem presidencial. Në sistemin e ri, Presidenti ka më shumë ndikim edhe te pushteti gjyqësor, përfshirë këtu organin përgjegjës për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Që nga përpjekja për grusht shteti në vitin 2016, u pushuan nga puna me dekret më shumë se 100.000 nëpunës civilë dhe dhjetëra mijëra të tjerë u arrestuan./dw