Me 7 vota pro, 1 kundër miratohet plani përfundimtar i hetimit të Komisionit të Posaçëm Hetimor.
Nga ky moment, deklarohet i hapur hetimi për Presidentin Meta duke filluar me fazat e përcaktuara në këtë plan.
Vota kundër ishte nga Adriatik Alimadhi.
Por mbledhja është shoqëruar me debate dhe diskutime.
Ishte nënkryetari i Komisionit Hetimor, Alban Zeneli ka kërkuar shtyrjen e nisjes së punimeve të këtij Komisioni deri në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.
“Të shtyhet komisioni deri në ngritjen e Gj. së Lartë. Pa ngritjen e Gjykatës Kushtetuese të mos përparojmë”, u shpreh Zeneli.
Në përgjigje të tij, anëtarja e Komisionit, Vasilika Hysi tha se një gjë e tillë nuk është e nevojshme, pasi ngritja e Komisionit është ekskluzivitet i Kuvendit.
“Ngritja e Komisionit Hetimor është ekskluzivitet i Kuvendit, as i ekzekutivit dhe as i gjykatave. E rëndësishme është që raporto duhet të respektojë afatet dhe më pas është Gjykata Kushtetuese ta shqyrtojë pasi t’ia përcjellë Kuvend”, tha Hysi.
Komisioni i posaçëm ka miratuar planin për hetimin e presidentit Meta. Plani hetimor që u miratua sot dhe do të zgjasë deri më 8 tetor të vitit 2019 dhe do të funksionojë në varësi të një plani prej 9 pikash, deri në arritjen e një raporti përfundimtar.
Gjatë fjalës së tij, kreu i këtij komisioni, Ulsi Manja pohoi se këto hapa edhe mund të ndryshojnë gjatë rrugës. Meta do të thirret për t’u pyetur rreth dekretit të tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit në datën 6 shtator.
Kuvendi ngriti Komisionin Hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës më 8 korrik, duke i lënë afat deri në 8 Tetor të vlerësojë nëse Ilir Meta e ka shkelur apo jo Kushtetutën.
Komisioni drejtohet nga Ulsi Manja i cili është edhe kryetar i Komisionit të Ligjeve. Komisioni ka nëntë anëtarë, 5 nga mazhoranca dhe 4 nga opozita të cilët do të vendosin për shkeljet e Metës.