Është hera e dymbëdhjetë që kancelarja Angela Merkel po udhëton për në Republikën Popullore të Kinës. Një sërë temash të vështira e rëndojnë avionin qeveritar. Një vështrim.
Ka pasur kohë, kur marrëveshjet ekonomike me vlerë 150 miliardë euro konsideroheshin më tepër si suvenire të vogla, të një vizite qeveritare në Pekin. Dhe një kryetare e qeverisë gjermane ishte në gjendje të bisedonte para kamerave me një klerik kinez për kohën e tij në burg në Kinë. Këto kohë kanë marrë fund.
Kur kancelarja gjermane Angela Merkel udhëton më 5 shtator në Republikën Popullore të Kinës, në avionin qeveritar është edhe një delegacion gjerman i biznesit. Në programin dyditor, krahas takimeve me drejtuesit politikë kinezë është edhe një takim me studentët. Por marrëdhënia me Kinën është më komplekse se kurrë dhe lista e temave të parehatshme e gjatë.
Të drejtat e njeriut: Xinjiang dhe Hong Kong
Pak para udhëtimit të planifikuar të Merkelit, Joshua Wong, një drejtues i lëvizjes protestuese në Hong Kong, i kërkoi në një letër të hapur ndihmë kancelares. Gjatë vizitës së saj të fundit, Merkeli arriti që Liu Xia, e veja e disidentit të ndjerë dhe e Nobelistit të Paqes Liu Xiaobo të lejohet të largohet nga Kina. Por bisedimet për shkeljet në rritje të të drejtave të njeriut në Kinë po bëhen më të vështira dhe të rralla. Për një periudhë kohe dialogu për të drejtat e njeriut të dy vendeve u pezullua. Kritika e Ministrit të Jashtëm gjerman për marrëdhëniet e Kinës me ujgurët shkaktoi një skandal. Besohet se një milionë ujgurë muslimanë mbahen kundër vullnetit të tyre me detyrim në provincën perëndimore Xinjiang.
Protesta në Hong Kong
Kërcënimi i rënies ekonomike
Kina është furnizuesja më e rëndësishme i Gjermanisë dhe pas SHBA dhe Francës blerësja më e rëndësishme e eksporteve gjermane. Në vitin 2018, të dyja vendet shkëmbyen mallra me vlerë 199.3 miliardë euro. Por Kina nuk është vetëm partneri më i rëndësishëm tregtar i Gjermanisë, por edhe një konkurrente tregtare. Në fillim të vitit, Konfederata e Industrisë Gjermane paralajmëroi në një dokument politikash bazë për një “konkurencë sistemesh” me modelin ekonomik “të mbizotëruar nga shteti” i Kinës. Sipas ekonomistëve, Gjermania ndodhet në fillim të një recesioni. Frika për një rënie ekonomike mund të nxisë përpjekjet e Gjermanisë për marrëdhënie më të mira tregtare me Kinën.
Rruga e re e Mëndafshit
Sepse ndikimi ekonomik i Kinës në Evropë po gjen vazhdimisht rrugë të reja. Në formën e porteve dhe linjave hekurudhore: me një projekt global të infrastrukturës, të ashtuquajturin Nisma Belt and Road (BRI), Kina dëshiron të zgjerojë rrugët e komunikimit mes detit dhe tokës për në Afrikë dhe Evropë. Disa shtete anëtare të BE-së tashmë kanë rënë dakord të bashkëpunojnë me këtë projekt. Sidoqoftë, ekziston frika se përmes kësaj “rruge të re të mëndafshtë” Kina mund të ushtrojë jo vetëm ndikim ekonomik, por edhe politik. Një shembull është Greqia, e cila është një nga anëtarët e parë të BE që merr pjesë në projektin BRI. Greqia vuri në 2017 veton ndaj një deklarate të përbashkët për të drejtat e njeriut të BE, e cila denonconte shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë. Ekspertët druhen se vende të tjera të BE mund të ndjekin shembullin e Greqisë.
SHBA, Irani – dhe Huawei
Samiti i Rrugës së re të Mëndafshit, Kinë 2017. Presidenti kinez, Jinping dhe lirdeër të tjerë takohen pranë Pekinit
Mosmarrëveshja e vazhdueshme tregtare midis SHBA dhe Kinës po rëndon gjithashtu marrëdhëniet e Gjermanisë me të dyja vendet. Me tërheqjen e tij nga marrëveshja bërthamore me Iranin, Presidenti amerikan Donald Trump e ka shtuar presionin mbi qeverinë gjermane. Kina, nga ana tjetër, e mirëpriti Ministrin e Jashtëm iranian Zarif Mohammad Javad Zarif për bisedime në Pekin, për të siguruar stimuj ekonomikë, që Irani të mbetet në marrëveshjen bërthamore. Gjermania mund të ndodhet midis fronteve. Pozicioni i Republikës Federale ndaj Huaweit gjithashtu sjell tensione të tjera në lidhje me SHBA dhe Kinën. Grupi kinez i telekomunikimit është furnizues kryesor për përhapjen e teknologjisë 5G, por midis ekspertëve të sigurisë për të ka diskutime. SHBA i ka përjashtuar teknologjitë e Huaweit nga zgjerimi i rrjetit të vet. Gjermania është e pavendosur.
Marrëveshja BE-Kinë
Një suvenir nga vizita e Merkel, e cila veçanërisht do të kënaqte skeptiken ndaj Kinës dhe partnerin e BE, Francën, do të ishin premtime kineze në marrëveshjen e planifikuar tregtare midis BE dhe Kinës. Berlini ka sinjalizuar tashmë se do t’i përdorë kontaktet e tij të mira me Pekinin gjatë kryesimit të Këshillit të BE në vitin 2020, në favor të një takimi të përbashkët të nivelit të lartë BE-Kinë në Gjermani. Në Pekin, Merkel mund të bëjë këto ditë punë të rëndësishme përgatitore.
Konkurrentë dhe partnerë
Gjendja e marrëdhënieve
Komisioni Evropian kohët e fundit e ka shpallur Republikën Popullore një “rival të sistemit”. Vetë Berlini mban një raport me Pekinin, të cilin të dy palët e quajnë një “partneritet strategjik gjithëpërfshirës”. Përfaqësuesit e qeverisë gjermane dhe të asaj kineze tashmë janë takuar pesë herë për konsultime të përbashkëta. Edhe një manovër e përbashkët ushtarake e ushtarëve gjermanë dhe atyre kinezë u zhvillua në Gjermani, për herë të parë këtë vit. “Kina është një partner strategjik, por edhe konkurente”, e përshkruan kancelarja Merkel situatën. Por ambivalenca shkakton pasiguri në Gjermani dhe jashtë saj./dw