Maqedonia e Veriut nesër shënon 28 vite të pavarësisë pasi që pas referendumit të mbajtur në vitin 1991 qytetarët e Maqedonisë u deklaruan për shtet të pavarur dhe sovran.
Shënimi do të fillojë sot pasdite, kur nga kazerma “Ilinden” do të bëhet qitje artilerike nga njësia e batalionit artilerik të Armatës.
Nën moton “Ngjyrat e pavarësisë” nesër afër Guacës në Parkun e qytetit do të mbahet festim organizuar nga ana e Qeverisë. Është paralajmëruar fjalimi kryeministrit Zoran Zaev.
Në kuadër të festimit do të ketë program të pasur kulturor-artistik dhe argëtues. Do të interpretojnë Petko dhe “Pesë plus”, grupi “Aj Kju”, Violeta Tomovska, Elita Ziberi dhe DJ Dragan B. Kostiq.
Qytetarët do të kenë mundësi të shijojnë ushqim tradicional, do të marrin pjesë në aktivitete sportive dhe do të kenë mundësi ta shohin ekspozitën e përgatitur nga fëmijët e shtëpive të vogla grupore. Në stendë të posaçme të Ministrisë së Shëndetësisë do të mund të masin shtypjen e gjakut dhe të kryejnë kontroll të syve. Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Armatës do të kryejnë stërvitje.
Shënimi i 8 Shtatorit – Ditës së pavarësisë do të fillojë me vendosjen e luleve në varrezat partizane në Butel dhe në varret e presidentëve të vdekur Boris Trajkovski dhe Kiro Gligorov.
Gjatë rrugëtimit 28-vjeçar të pavarur, shteti kaloi nëpër një sërë problemesh dhe vështirësish. Inflacioni treshifror në fillim të viteve të 90-ta, embargoja greke, kriza me refugjatët nga Kosova dhe konflikti i vitit 2001 ishin sfida të vërteta për shtetin e ri të Maqedonisë që e ngadalësuan rrugën e saj drejt realizimit të qëllimeve strategjike – përforcimin e demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe integrimin në strukturat euroatlantike. Edhe kriza politike e viteve të fundit shkaktoi stagnim në procesin e eurointegrimeve, por u tejkalua me Marrëveshjen e Përzhinos, zgjedhjet parlamentare të dhjetorit dhe formimin e shumicës së re në pushtet.
Vite të gjata pati edhe kontest të pazgjidhur me Greqinë për shkak të emrit, Bisedimet filluan nën patronatin e Kombeve të Bashkuara në mënyrë që përfundimisht, pas negociatave shumëvjeçare, vitin e kaluar më 17 qershor në Prespë, në prani të kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras të nënshkruhet marrëveshje mes dy shteteve për zgjidhje të kontestit me emrin. Me këtë u hap rruga e shtetit drejt BE-së dhe NATO-s. Vendi mori ftesë për anëtarësim në NATO, që do të rrumbullakësohet me nënshkrimin e protokollit nga të gjitha shtetet anëtare të Aleancës, ndërsa pas raportit të të sivjetmë pozitiv të Komisionit evropian për përparimin e shtetit, pritjet janë se në tetor do të marrë edhe datë për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian./express