Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka deklaruar se ka pezulluar bisedimet e paqes që vazhdojnë me talebanët për shkak të sulmit në Kabul, ku u vra edhe një ushtar amerikan.
Trump theksoi se ka anuluar bisedimet sekrete të planifikuara të mbaheshin sot me presidentin e Afganistanit, Ashraf Ghani në Camp David me disa udhëheqës talebanë.
“Disa udhëheqës të rëndësishëm të talebanëve dhe presidenti i Afganistanit do të vinin në Camp David këtë të diel. Ata po vinin në SHBA sonte. Por, fatkeqësisht ata (talebanët) me qëllim për të arritur një gjë të gabuar morën përsipër sulmin në Kabul që i kushtoi jetën 11 personave dhe 1 ushtarit tonë të madh. Unë menjëherë anulova këtë takim dhe pezullova bisedimet e paqes”, shkroi Trump në llogarinë e tij në Twitter.
Ai bëri të ditur se këto sulme nuk do të funksionojnë për të forcuar pozicionin e tyre dhe se talebanët kanë humbur avantazhin e tyre me këtë sulm. “Nëse gjatë këtyre bisedimeve thelbësore të paqes, ata nuk janë dakord për armëpushim dhe vrasin 12 njerëz të pafajshëm, atëherë do të thotë që ata ndoshta nuk kanë fuqinë e mundshme për të negociuar një marrëveshje kuptimplotë. Edhe sa dekada janë të gatshëm të luftojnë?”, tha Trump.
Në shtypin amerikan dje u reflektua se presidenti afgan Ghani shtyu vizitën e tij që do të zhvillonte në SHBA për të diskutuar procesin e bisedimeve të zhvilluar mes SHBA-ve dhe talebanëve.
Përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-ve në Afganistan, Zalmay Khalilzad, i cili përfundoi takimin e 9-të të paqes javën e kaluar, ndau tekstin e marrëveshjes me presidentin Ashraf Ghani.
Halilzad në një deklaratë për një kanal privat televiziv në Kabul ka deklaruar se pas bisedimeve të zhvilluara prej muajsh me talebanët është arritur një marrëveshje dhe se SHBA-të do të tërheqin 5.000 ushtarë të tyre duke mbyllur brenda 135 ditëve 5 bazat amerikane në vend.
Në sulmin me një minibus të ngarkuar me bombë në afërsi të lagjes ku ndodhen misionet diplomatike pak ditë më parë në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, humbën jetën të pakëtn 10 persona, përfshirë edhe 2 ushtarë të misionit të NATO-s.