Nga Dr.Jorgji KOTE
Jo rrallë diplomacia fajësohet, madje në raste të caktuara bëhet dhe “kokë turku” për dështime të caktuara në politikën e jashtme. Pa dashur të mbulojmë “gjynahet” e saj, por edhe që të mos i bihet në qafë pa të drejtë, le ta themi qysh në fillim se pavarësisht specifikave të njohura, edhe diplomacia është nën “thundrën” e politikës. Këtë raport dhe dallim e ka sintetizuar diplomati i shquar britanik, Lord Gore – Booth, kur thotë se, “politika e jashtme është ajo çfarë bëhet, diplomacia tregon se si bëhet”. Në vend të analizave akademike, për lexuesin po japim disa nga shembujt e shumtë që e qartësojnë me mirë këtë realitet.
Në tre shekujt e fundit ishin politikat ekspansioniste, ato që zhytën Gjermaninë dhe Francën në 27 luftëra të përgjakshme, duke nxjerrë jashtë loje diplomacitë e tyre të famshme me emra emblematikë. Por ndryshoi gjithçka kur u pajtuan dhe bashkëthemeluan BE-në dhe kur Adenauer dhe De Gol nënshkruan në Paris, Traktatin e famshëm të Elizesë në janar 1963.
Një mesazh tejet nxitës për diplomacinë amerikane, gjermane dhe evropiane dha fjalimi me 685 fjalë i Presidentit amerikan Kenedi para gjysmë milionë berlinezëve të ekzaltuar në Berlinin Perëndimor, më 26 qershor 1963, që u mbyll me deklarimin mitik në gjermanisht “Ich bin ein Berliner” (Unë jam berlinez). Për të vijuar me “Ostpolitik” legjendare të kancelarit Willy Brandt. Në vijim, veç talentit të lindur, kryediplomati legjendar gjerman Hans Dietrich Genscher pati sukses në demarshet e tij 17-vjeçare anti-mur në radhë të parë, falë vizionit dhe guximit politik të kancelarit Helmut Kohl. E kundërta ndodhi me diplomacinë gjermano-lindore, për të cilën Muri i Berlinit u kthye, veç të tjerash, edhe në një katastrofë të vërtetë imazhi.
Kisinger, “princi” i diplomacisë moderne kreu një “vepër arti” në hapjen me Kinën, veçse pa politikën vizionare dhe të guximshme të Presidentit Nikson, vështirë të kishte realizuar atë mision historik.
Këto politika, me mesazhet e tyre me jehonë publike bëhen udhërrëfyese dhe mbështetje e fuqishme për diplomacinë. Ato i hapin rrugën funksionimit normal të kanaleve të ndryshme të dialogut dhe komunikimit, ku shfaqen dhe aftësitë/alternativat diplomatike, të cilat kërkojnë kohën dhe hapësirën e vet.
Duke ardhur në ditët tona, marrëveshja ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë në shtator 2013 për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë apo rivendosja e kontakteve ndërmjet udhëheqësive të SHBA-ve dhe Iranit etj., dëshmuan qartë avantazhet e mëdha të politikave vizionare edhe për diplomacinë moderne, ashtu sikurse tensionet më të fundit ndërmjet tyre e pengojnë dhe e dëmtojnë atë. Sepse aty ku mbaron dhe dështon diplomacia, fillon dhe fiton lufta. Kështu, ndërhyrja e detyruar e NATO-s në ish-Jugosllavi ndodhi pasi dhe “herkuli” i diplomacisë amerikane, ambasadori i ndjerë Richard Holbrooke “dështoi” se Milosevici donte vetëm luftë.
Ndonëse me një shërbim diplomatik të shkëlqyer dhe me tradita shekullore, edhe diplomacia britanike po e sheh veten të bllokuar në qerthullin dhe qorrsokakun e Brexit; e ç’mund të bëjë ajo kur brenda tri viteve të fundit janë larguar tre kryeministra britanikë, 10 ministra të Jashtëm dhe të Çështjeve Evropiane, ambasadorë dhe kur Brexit nuk po gjen dot rrugën e daljes?!
Por le ta themi se dhe diplomacia e madhe amerikane këto vitet e fundit është vënë në pozita të vështira me hapësira të ngushtuara veprimi, për shkak të politikave të çmontimit të organizatave shumëpalëshe dhe largimin e njëanshëm nga disa traktate ndërkombëtare, mirëpo këto të fundit janë themeli i suksesit të diplomacisë së sotme konsensuale.
Padyshim që dëshmitarja historike e dështimit të diplomacisë ndërkombëtare dhe e superyjeve të saj, vetëm për mungesë të vullnetit dhe vizionit politik mbetet Lindja e Mesme, sidomos Izraeli dhe Palestina. Ndërsa nga Iraku u tërhoq kryenegociatori i OKB-së, ish-Sekretari i saj i Përgjithshëm për dy mandate, i ndjeri Kofi Annan dhe emisarë të tjerë me emra tingëllues. Pa fat ishte edhe pasardhësi i tij, Antonio Gueteres që dështoi më 2017 në Qipro, pas shumë negociatorëve të tjerë diplomatikë gjatë 45 viteve pas aneksimit nga Turqia. Edhe pse diplomacia ka hedhur në tryeza me dhjetëra e dhjetëra formula dhe alternativa diplomatike! Por, pa rezultat, sepse nuk kanë dashur e nuk duan zgjidhje “të zotët e shtëpisë”.
Për 25 vite rresht mungoi predispozicioni greko-maqedonas deri sa vitin e kaluar “maratona” e emrit të Maqedonisë u zgjidh me Marrëveshjen historike të Prespës, falë guximit dhe vullnetit politik të Zaev dhe Tsipras. Këtu fjala është për vullnet të vërtetë politik dhe jo sa për ‘shoë’ dhe koniunktura politike, siç vepron Serbia në dialogun me Kosovën.
Shembullin më të freskët të ndikimit pozitiv të politikës mbi diplomacinë, sidomos atë shumëpalëshe e dha Presidenti francez Macron, mikpritësi i Samitit të G-7 (Biarritz, 24-27 gusht 2019). Veç të tjerash, Macron ia doli mbanë të mbante të angazhuar Presidentin Trump dhe palën iraniane lidhur me marrëveshjen bërthamore, futi në lojë Presidentin Putin për zgjidhjen e krizës në Ukrainë, bëri palë në samit 10 liderë afrikanë, duke u premtuar paketën me ndihma prej 3,3 miliardë euro, si dhe homologët evropianë, kinezë, indianë etj., lidhur me zbutjen dhe shmangien e luftërave tregtare.
Duke u kthyer te vendi ynë, bashkë me shumë kolegë diplomatë gjatë mbi dy dekadave të fundit e kemi ndjerë në punën e përditshme sidomos jashtë vendit se sa pozitiv dhe nxitës ka qenë sistemi i ri i hapur demokratik, veçanërisht qëndrimi konsensual i forcave tona politike ndaj çështjes shqiptare dhe njohjes së Kosovës. Inkurajuese kanë qenë për diplomacinë dhe qëndrimet e politikës sonë në mbështetje të komunitetit ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit, bashkëpunimit rajonal, fqinjësisë së mirë, Procesit të Berlinit etj.
Për fat të keq nuk ka ndodhur gjithnjë kështu, sidomos në fusha jetike, në radhë të parë në atë të integrimit europian, ku kemi gati 30 vjet që aspirojmë për t’u anëtarësuar në BE, si kryefjala e politikës sonë. Për fat të keq, politika jonë me dështimet dhe konfliktet e dhunshme dhe me bollëk e ka vënë gjithnjë në pozitë të vështira, madje “me shpatulla pas muri” si diplomacinë tonë, ashtu edhe partnerët e huaj. Kujtoj sa herë me një farë trishtimi kolegët e huaj diplomatë në Tiranë, Bruksel, Berlin dhe në institucionet evropiane që këto 25 vitet e fundit kanë mbuluar Ballkanin dhe Shqipërinë; ishin përherë në tension, ndër më “fatkeqët” vazhdimisht nën trysninë e krizave tona, me urgjenca pa fund, me pushime dhe fundjavë të anuluara. Nuk ankoheshin, si dashamirës që ishin, por ndihej zhgënjimi dhe keqardhja e tyre me pyetjet retorike “Ç’bëhet kështu te ju? Pse nuk na lini t’ju ndihmojmë, xhanëm”?!
E sikur të mos mjaftonin të mëparshmet, një cikël i ri i pareshtur krizash na ka pllakosur e nuk po na ndahet dhe këtë vit. Për pasojë, nëse deri dje sytë dhe mendjen i kishim vetëm në Bruksel, ku më 17-18 tetor Këshilli i BE-së do të vendosë mbi fatin e negociatave tona, tanimë jemi të detyruar të presim më parë me ankth nga Vjena, Strasburgu, Parisi, Venecia etj., për gjykimin e tyre mbi dosjet përvëluese që ka çuar atje Tirana zyrtare në kulmin e zhegut politik dhe klimatik. Mirëpo këto vendime, duke filluar nga raporti i ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit mund të shërbejnë si “municion” për vendet e njohura skeptike, por jo vetëm. Aty mund të ketë argumente shtesë për të na vendosur kushte të reja ose dhe shtyrjen e mëtejshme të negociatave, pa qenë nevoja t’i referohen fare tematikës dhe shqetësimeve të tyre të brendshme.
Ja pse urojmë që klasa jonë politike të japë sa më parë sinjale premtuese për vullnetin politik, për konsensusin e nevojshëm partiak dhe fillimin e dialogut politik për daljen nga kjo krizë e rëndë dhe e paprecedentë. Ndryshe, veç pasojave të tjera, do të kompromentohej dhe kthehej në bumerang politik edhe suksesi ynë diplomatik lidhur me kryesimin e OSBE-së më 2020.
Ndaj, në këtë rast janë vërtet për t’u vlerësuar MPJ-ja dhe përfaqësitë tona diplomatike, veçanërisht ajo pranë BE-së në Bruksel, të cilat po derdhin gjithë mjeshtërinë e tyre për t’u shpjeguar kolegëve evropianë “ ebusin” e ngatërruar të politikës sonë dhe elementët e krizës. Kush ka qenë dhe është diplomat profesionist e kupton se sa e vështirë është kjo “detyrë shtëpie”, sepse në vend që diplomatët tanë të jenë në “sulme lobuese” me bilance pozitive, ata janë të shtrënguar të “gozhdohen” në mbrojtje, për të mos “pësuar gol”, pra për t’u dhënë përgjigje bindëse pyetjeve dhe dyshimeve të shumta mbi lajmet/ngjarjet e njëpasnjëshme të njohura negative në vendin tonë “pse”, “si”, çfarë”, “ku”, “kur” dhe të tjera si këto.
Si përfundim, me gjithë rolin dhe aftësitë e saj, produkti dhe sidomos efikasiteti i diplomacisë sonë do të jetë deficitar për sa kohë mungon një politikë koherente me vizione të vërteta evropianiste, mirëpo kjo politikë fillon e fiton “nga brenda” dhe pastaj rrezatohet jashtë vendit. Siç ka thënë ish-kryeministri i famshëm britanik, William E. Gladstone, “Parimi i parë për politikën e jashtme është qeverisje e mirë brenda vendit”/gsh