Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e gjithë bota përkujtojnë sot 18-vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit 2001.
Sulmi ndaj kullave binjake ishte kryer me 11 shtator 2001 nga një grup prej 19 rrëmbyesish radikalë, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.
Fillimisht njëri aeroplan i rrëmbyer ishte përplasur mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, duke krijuar një çarje të thellë në faqen e ndërtesës dhe duke shkaktuar zjarr, kurse 17 minuta më vonë, një aeroplan tjetër pasagjerësh përplaset mbi kullën jugore.
Në sulmin e 11 shtatorit 2001 humbën jetën rreth 3 mijë persona.
Në mesin e viktimave në kullat binjake ishin 2.752 persona prej tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civilë të 70 kombësive të ndryshme.
Ceremonitë në Nju Jork dhe Uashington do të nisin me një minutë heshtje, në kohën kur ndodhën sulmet.
Ekspertët shprehen se 11 shtatori i vitit 2001, ndryshoi shumë gjëra në botë. Këto ngjarje u bënë shkak për nisjen e një fushate të gjerë të udhëhequr nga SHBA-të kundër terrorizmit.
Në 18-vjetorin e kësaj ngjarje, Kosova e kujton këtë ditë për SHBA-të dhe gjithë demokracinë botërore.
Kryeministri në largim Ramush Haradinaj do të zbulojë obeliskun kushtuar viktimave të 11 shtatorit.
Kurse Shoqata “Miqtë e Amerikës” do të organizojë disa aktivitete të cilat fillojnë nga ora 08:15 deri në ora 11:45.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar në Twitter me rastin e 18 vjetorit të tragjedisë.
“Ne përkujtojmë solemnisht individët që humbën jetën në # shtator 11, 2001. Për nder të atyre që humbën jetën, Presidenti Donald Trump u bën thirrje agjencive amerikane që ulin flamurin e SHBA-së në gjysëm-shtizë. #Kurrë nuk harrojmë”, shkruan Departamenti i Shtetit në Twitter./dita