Për mijëra dosjet e bllokuara, për t’u shqyrtuar dhe dhënë një vendim nga drejtësia shqiptare do të duheshin minimalisht edhe 17 vite.
Është ky alarmi i ngritur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në raportin e tij për situatën e gjyqësorit prezantuar prej tyre pak kohë më parë.
Në raportin e siguruar, deri në vitin 2036, qytetarët shqiptarë do duhet të presin me shpresën se e drejta do të vihet në vend.
Ky parashikim përkon me situatën në Gjykatën e Lartë, ku aktualisht janë mbi 22.000 dosje të bllokuara ndërsa sipas KLGj situata pritet të bëhet me rëndë ku në këtë gjykatë nga apelet pritet të mbërrijnë dyfishi i kësaj shifre, mbi 31.000 dosje të tjera.
Aktualisht Gjykata e Lartë është e bllokuar dhe aty nga 19 anëtarë në detyrë është vetëm një, Ardian Dvorani ndërsa pjesa tjetër është dorëhequr dhe shkarkuar prej procesit të Vetting-ut.
Një tjetër situatë e zymtë e krijuar me sistemin e drejtësisë është edhe vonesa e zbardhjes së vendimeve nga gjyqtarët.
Në listën e gjykatave që nuk zbardhin në kohë vendimet e kryeson Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Vlorë me 407 raste; Gjykata e Apelit Vlorë me 332 raste; ndjekur më pas nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnje me 161 raste dhe Gjykata Administrative e Apelit me 106 raste.
Kjo situate, sipas KLGJ vjen për shkak të mungesës së gjyqtarëve të cilët janë shkarkuar prej Vetting-ut apo pjesa tjetër është vetëlarguar.
Aktualisht në proces KLGj ka zhbllokimin e Gjykatës së Lartë, ku ka nisur fazën e emërimeve dhe nga 22 kandidatë që aplikuan në fazën e dytë janë përzgjedhur vetëm 8 vetë.