Ish-kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, paralajmëroi se ekonomia botërore ndodhet në periudhë të vështirë dhe se politikëbërësit duhet të ndërhyjnë. Komentet e saj erdhën pas raportit të OECD, ku uli projeksionet për ekonominë botërore këtë vit edhe tjetrin në nivelin më të ulët që prej krizës financiare, duke përmendur luftën tregtare si faktor.
Christine Lagarde tha se bankat qendrore kanë bërë punën kryesore në parandalimin e krizave financiare dhe i takon qeverive tashmë që të shtojnë shpenzimet dhe nxisin ekonomitë. “Mendoj se bankat qendrore kanë përdorur çdo mjet nën dispozicion dhe kanë qenë lojtarët e vetëm”, tha Lagarde.
Në postin e saj të ri në krye të Bankës Qendrore Europiane, ajo tha se do të përqendrohet te krijimi i vendeve të punës dhe stabiliteti. Ajo do të nisë detyrën e re në një kohë kur Donald Trump ka kritikuar vazhdueshëm bankën qendrore për mungesën e stimujve. Trump ka akuzuar gjithashtu presidentin e Bankës Qendrore Europiane që po largohet, Mario Draghi, për komentet e tij që kanë sjellë rënien e euros dhe fituar avantazh tregtar.
Lagarde tha se gjërat nuk shkojnë si ç’duhet kur politikanët ndërhyjnë te pavarësia e bankave qendrore. Ajo shtoi se bankierët qendrorë duhet të jenë tejet të parashikueshëm, ndërkohë që pasiguria në të gjithë botën po rritet.