Bundestagu gjerman miratoi vendimin për çeljen negociatave me 9 kushte për Shqipërinë ndërsa për Maqedoninë e Veriut pa asnjë kusht.
Me 350 vota pro, 188 kundër dhe 16 abstenim Bundestagu gjerman ka miratuar vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Deputeti i SPD-së, Josip Juratovis kërkoi hapjen e negociatave me Shqipërinë. Ai tha se Shqipëria ka bërë përparim në fushën e drejtësisë, por mbetet ende shumë për të bërë sa i përket luftës kundër krimit të organizuar.
Edhe deputeti i CDU/CSU, Florian Hahn tha se Shqipëria ka bërë përparim në sistemin e gjyqësorit, por ka ende punë për të bërë në luftën kundër krimit të organizuar.
“Po të votojmë për Shqipërinë i japim një shans historik. Kemi vendosur kritere shumë të forta për Shqipërinë, të ndara në dy faza. Hapja e negociatave nuk do të thotë anëtarësim” tha zoti Hahn.
Peter Beyer përfaqesues i CDU/ CSU në fjalën e tij në Bundestag për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut foli edhe për çështjen Tahiri dhe tha se “nuk na hidhni dot hi syve me atë dënim”.
Më herët deputetët e CDU-CSU kishin miratuar qëndrimin e tyre pro vendimit për hapjen e negociatave.
Mes kushteve që i kërkohen vendit tonë, është reforma zgjedhore, ngritja e gjykatës së lartë dhe asaj kushtetuese, arrestimi i peshqve të mëdhenj si dhe zgjidhja e krizës politike përmes dialogut. Për Maqedoninë e veriut nga ana tjetër votuan pro 465 deputetë.