Ekskluzivisht për “ARGUMENTUM”
Nga Stefani NOVA
Pas çdo behari vjen një dimër i vogël. Ndryshe, e quajnë “vjeshtë”. Një fazë që na parapërgatit për dimrin e madh… Atë që na bën të mbështillemi jo vetëm mes batanijesh, por edhe mes mendimesh të zymta e vegimesh të vagullta. Shfaqet me shirat e parë dhe rrokopujat e tatëpjeta që merr befas moti. Ato që na bëjnë të mallohemi menjëherë për të nxehtin diell dhe “ëndrrat e një nate vere”…
E tillë nisi edhe kjo vjeshtë. Me amplituda të befta që lëkundën tokën dhe begenisën për një çast të gjitha mendjet shqiptare t’i kthenin njëherë sytë nga qielli. Andej nga mbërritën më pas edhe qindra rrufe, si një zemëratë e nëmur nga dikush që prej kohësh kërkon vëmendje, por që ne të gjithë nuk kemi patur kohë t’ia kushtojmë, pasi kemi qenë aq të zënë me dilemat tona: A do ketë zgjedhje në 30 qershor? A do të shkarkohet Presidenti? A do të bëjë vallë sërish marrëveshje kryeministri me liderin e opozitës? Po protesta a do të ketë më? …
Oh, sa shumë pyetje të marrëzishme na kanë sfilitur këtë vit. Që mbetën pezull në vallgën e pushimeve, atje ku bashkë me politikën duket se u qetuan edhe mendjet e shprishura prej saj. Por që duket se u zgjuan sërish bashkë me qortimin e parë të kësaj vjeshte: tërmetin që lëkundi mendimet tona deri tani të fjetura për çka vërtet jetojmë e që i kapërcen të gjitha dilemat e lartpërmendura të politikës shqiptare.
Një qortim ky, i cili pasoi për Shqipërinë me një të dytë. Me atë të Bundestagut gjerman për ecurinë e deritanishme të procesit të integrimit dhe atë që e pret më pas. Po, deputetët gjermanë thanë “Po”, Shqipëria mund t’i çelë negoçiatat me Bashkimin Evropian. Por ama, kur të ketë plotësuar nëntë kushte. Kaq. No comment! Sepse i kanë lodhur kaq shumë njerëzit e këtij vendi, si politika, si mediat, duke ua shpjeguar se çfarë do të thotë kjo. Kur ata e dinë më mirë se ata në fakt këtë. Shqiptari i thjeshtë është perceptuesi më i mirë i të gjitha mesazheve që i vijnë jo vetëm nga politika e jashtme, por mbi të gjitha nga ajo e brendshme. Edhe këtë herë, ai i kuptoi mirë qortimet e Berlinit zyrtar, sepse jeton me ato çdo ditë. Sikundër, as nuk do ta hapë më gojën nga gëzimi edhe po iu çelën ato të bekuara negociata. Ai e di mirë që në jetën e tij të përditshme nuk do të ndryshojë asgjë. Pas shumë vitesh, ndoshta po. Kur vërtet të ketë mundësi të marrë një leje pune nga ndonjë vend ii Bashkimit Evropian e të shkojë të punojë atje pa pengesa. Ja, ky është perceptimi tradicional i një shqiptari tradicional për negoçiatat dhe pallavra të tjera “integruese” si këto…
Qortimi tjetër i kësaj vjeshte? Asaj që kanë marrë përsipër t’i bëjnë kreut të këtij shteti institucionet, si vendase edhe ato të huaja, duke kërkuar zyrtarisht largimin e tij. Kthyer tashmë në një barcaletë kolektive, prej së cilës madje edhe nuk na qeshet më… Ka halle të tjera ky vend. Madje tani po na e servirin si një qortim të ri nga jashtë këtë fillim vjeshte edhe vizitën e munguar e Sekretarit Amerikan të Shtetit në Shqipëri, ndërsa ai po bujt në disa vende të Ballkanit. Po le të mos vijë. Përsëri shqiptari i thjeshtë, ai tradicionali që thamë më lart njësoj do ta ketë të përditshmen e tij. Me tokën që po e vjel pas një vere të përzhitur dhe që ka nisur t’i dridhet shpesh nën këmbë, duke i kujtuar se nuk duhet ta vrasë më aq shumë mendjen me “amerikanët në Vietnam”, sesa të mendojë më mirë për “ndërzmin artificial”. Më kot insitucionet e këtij vendi dhe majonetat e tyre përpiqen prej 2 e ca dekadash ta edukojnë atë me një kulturë të posaçme politike. Madje t’i induktojnë dhe mendime të çuditshme mbi konspiracione të mundshme rajonale, ballkanike, kurthe apo skandale diplomatike. Jo, ore jo! Shqiptari e di mirë se çfarë ndodh përreth tij. Zotëron madje një intuitë të admirueshme për të njohur jo vetëm armikun, atë që e ka kollaj në fakt, por mbi të gjitha mikun. Sidomos fytyrën e vërtetë të politikës dhe personazheve të saj, duke qenë madje më aktor edhe se vetë ata…
Qortimi i radhës? Me siguri që do të mbërrijë. Nga BE, nga SHBA, apo ndoshta edhe nga vetë Zoti. Si një apel që njerëzit të nisin të bëhen gati për atë: Dimrin e madh. I cili na bën të mbështillemi jo vetëm mes batanijesh, por edhe mes mendimesh të zymta e vegimesh të vagullta. Sepse pas çdo vjeshte, vjen një dimër i madh…
argumentum.al
*Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin editorial të Argumentum.al
© Argumentum