Sot del në qarkullim seria e re e kartëmonedhave 200 dhe 5000 Lekë, ndërkohë që edhe monedhat e vjetra do të vijojnë të mbeten në qarkullim për tu tërhequr nga Banka e Shqipërisë gradualisht kur janë të dëmtuara dhe të papërdorshme.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, prerjet e reja të kartëmonedhave janë pjesë e serisë, 500, 1000, 2000 lekë. Kartëmonedhat kanë një prerje të ndryshme, ndërkohë që figurat historike të vendosura në to janë të njejtat.
Pas më shumë se 20 vitesh nga fillimi i hedhjes në qarkullim të serisë aktuale të kartëmonedhave Lek, seria e re vjen me një dizajn të rifreskuar, duke i dhënë kartëmonedhës shqiptare pamjen e një kartëmonedhe moderne, në të njëjtën kohë rezistente, me cilësi, integritet dhe besueshmëri të lartë, me standarde të kartëmonedhave të vendeve më të përparuara. Kjo seri është prodhuar me teknologjinë më të fundit të fushës, me elemente të reja sigurie, duke i bërë ato më të sigurta ndaj falsifikimit.
Seria e re e kartëmonedhave shqiptare ruan të njëjtën tematikë me kartëmonedhat ekzistuese, si një tematikë e gjithëpranuar nga publiku, por duke e risjellë atë më të freskët në ngjyra e konfigurim.
Seria e re e kartëmonedhave shqiptare përbëhet nga 6 prerje: 200 Lekë, 500 Lekë, 1000 Lekë, 2000 Lekë, 5000 Lekë dhe 10000 Lekë. Hedhja në qarkullim e kësaj serie planifikohet të bëhet gradualisht duke nisuar nga sot me daljen në treg të kartëmonedhave 200 dhe 5000 lekë dhe për monedhat e tjera gjatë muajve në vijim.