“Në rast se nuk do të kishte dalë ai dekret për anulimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit jo vetëm që në Shqipëri do të kishte një përplasje të paevitueshme, por… 30 qershori do ishte dita e ballafaqimit”
Kjo ishte deklarata e presidentit Ilir Meta në emisionin Opinion, duke mbrojtur vendimin e tij për të anuluar datën 30 qershor. Meta hodhi poshtë zërat se ishin deklaratat e zyrtarit amerikan Palmer ato që qetësuan palët politike.
“Vetëm dekreti i Presidentit Ilir Meta ka evituar përplasjen. Kjo është 100 përqind e sigurt. Unë i kisha të gjitha informacionet, janë dhe të klasifikuara ato informacione që nga djegia Kuvendit etj”, theksoi kreu i shtetit.
****
Kur jeni ulur, a i keni thënë që zoti Rama, apo Edi nuk e di si e thërrisni ju… jemi në një situatë që, a keni folur normal?
Ilir Meta: Në datën maj ka një deklaratë zyrtare të presidentit, që është një paralajmërim jo vetëm për të gjetur një zgjidhje por që unë do ta luaja rolin tim në mënyre që vendi të kishte një mundësi për të dalë nga kriza. Pas deklaratës zyrtare të CDU/ CSU lidhur me këtë situatë ku ata kërkojnë një dialog, një marrëveshje mundësinë edhe të një date të re gjithëpërfshirëse për zgjedhjet vendore ka një deklaratë nga Presidenti që mbështet këtë qëndrim dhe shpreh gatishmërinë e tij për të caktuar një datë të re zgjedhjesh në varësi me dakordësinë e palëve. Partitë nuk u dakordësuan sepse për fat të keq kishin një marrëveshje me dashje pa dashje për ta çuar vendin në përplasje.
Ju mendoni që palët ishin të gatshme të përplaseshin?
Ilir Meta: Palët u përplasën, harroni ju sa policë u dëmtuan, harroni ju gishtat e asaj polices. Harruat ju Sahit Dollapin që u rrah në mënyrë barbare dhe jo profesionale përpara kamerave dhe që mund të humbiste jetën sepse kishte bërë një operacion në zemër dhe presidenti i Republikës ka bërë presion që të shkojë në spital dhe pasi vajti në spital ka bërë ndërhyrje. Po të kishte ndodhur diçka tjetër do ishte tjetër histori e Shqipërisë. Ilir Meta nuk mund të priste as për qejfin e Edi Ramës as për qejfin e Lulzim Bashës, as për qejfin e Monikës që t’i mbajë iso Bashës dhe as për qejfin e ca ndërkombëtarëve që disa herë u bënë palë dhe ndonjëherë u bënë dhe palaço që të vriteshin shqiptarët dhe pastaj të thoshin po presidenti çfarë bëri?
Pse mendoni ju se e kishit këtë rol që të paqtoni shqiptarët dhe të zgjidhnit…
Ilir Meta: Ajo ishte detyra ime, detyrën time e kam bërë me përgjegjësi të plotë në transparencë të plotë edhe këtë e dinë të gjithë qytetarët shqiptarë. Palë këtu është vetëm një njëri, i cili donte zgjedhje me një palë, Ilir Meta donte që të gjithë qytetarët shqiptarë të shkonin të votonin. Jo vetëm ata që kjo e drejtë mund tu mohohej për shkak të sjelljeve të papërgjegjshme të Monika Kryemadhit, Lulzim Bashës, Fatmir Mediut, Shpëtim Idrizit, etj… por dhe ata që duan të votojnë PS dhe Partinë e Unitetit Kombëtar të shkojnë të votojnë si qytetarë europianë në mënyrë të fshehtë. Votimet me nje kandidat nuk janë të fshehta.
Po krijohet precedenti se nëse njëra palë…
Ilir Meta: Precedenti është krijuar në vitin 2007 nuk është ky precedent që u krijua. Tani situata është me e rëndë se në 2007, kishte marrëveshje që shqiptarët të përplaseshin. Nëse unë iu thërras që të zgjidhim këtë marrëveshje, të lëmë një datë dhe ju nuk doni dhe vazhdoni tregoni forcë… ktheni kronikat tuaja, shikoni policët e lënduar. Tirana në gaz, shikoni se sa policë janë thirrur nga prokuroria për tejkalim të kompetencave. Mirë Ilir Meta mund të ketë një interes, mirë Edi Rama ka një interes dhe ju keni një interes, po këta udhëheqësit e komuniteteve fetare që thonin mos na çoni në vëllavrasje, mos na çoni në ‘ 97./ Opinion.al