Aftësimi dhe punësimi i të rinjve përmes projekteve të ndryshme është në qendër të programit ReLoAd.
Një prej tyre është edhe projekti i Shoqatës së Bletarëve Librazhd, ku në fshatrat Qukës dhe Karkaveci projekti synon krijimin e një mundësie konkrete që të rinjtë të mos largohen nga zona e tyre. Kjo falë angazhimit të tyre në bletari.
Nga 550 familje në këto fshatra që mbahen me bujqësi, vetëm 70 prej tyre merren me bletarinë edhe pse mundësitë janë disa herë më të mëdha. Të dy këto fshatra janë pjesë e bashkisë Prrenjas, një nga 12 bashkitë partnere të programit Reload në Shqipëri.
Xhuana është 18 vjeç dhe ndjek shkollën e mesme. Gjatë fundjavës ajo merr pjesë në trajnimet e projektit të Shoqatës së Bletarëve Librazhd. Aty mëson sesi të kujdeset dhe zhvillojë bletarinë.
“Këtu zona është shumë e varfër, por me këto mundësi që kemi për ne është diçka shumë e rëndësishme”, thotë ajo.
Si Xhuana janë edhe 30 persona të tjerë të cilët ndjekin trajnimet në teori dhe praktikë. 6 prej tyre synojnë të punësohen menjëherë pas projektit
Floreta Sula bletare u shprehet se, “Unë më parë nuk punoja, tani merrem me bletët dhe është një mundësi shumë e mirë për punësim”.
Briseida Dashhana, pjesëmarrëse në programin e trajnimit shprehet se, “kjo është një mundësi shumë e mirë për të rinjtë. Do të kemi mundësi të punojmë e jo të vijmë vërdallë”.
Investimi fillestar është i ulët, por çmimet e shitjes janë të kënaqshme
“Ne synojmë të punësojmë të rinjtë. Synojmë të rrisim numrin e krerëve të bletarisë dhe prodhimin”, thekson bletar, Veli Hoxha.
Ky projekt i financuar nga BE dhe financuar nga UNDP në partneritet me bashkinë Prrenjas synon të punësojë jo vetëm 6 të rinj, nga të cilët 5 janë vajza, por edhe 35 bletarë që do të trajnohen dhe përfitojnë nga ky projekt./e.n/