Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit në Novi Sad me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se është nënshkruar deklarata e përbashkët, e cila bazohet në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.
Në konferencën e përbashkët për media, Vuçiq tha se synim i kësaj nisme është që deri në fund të vitit 2021 të krijohen kushtet që qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të kalojnë kufijtë e tri vendeve me letër-njoftime.
Ai tha se me masa “më konkrete” të zbatimit të kësaj nisme, përfaqësuesit e tri vendeve do të dalin në takimin e ardhshëm, që do të mbahet në Ohër, më 10 nëntor.
Rama, në anën tjetër, tha se çështjet e hapura midis vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk duhet t’i pengojnë marrëveshjet për mirëqenien e të gjithë qytetarëve.
“Synimi që na ka bashkuar në këtë format ka rëndësi të madhe”, tha Rama, duke iu bërë thirrje të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor që të bashkohen në këtë nismë.
Zaev tha se Maqedonia e Veriut e mbështet nismën, sepse “duhet të bëhet shumë më tepër për përafrimin ekonomik”.
Vuçiq qysh më herët ka dalë me idenë e një qasjeje të përbashkët të këtyre vendeve, ngjashëm sikurse Grupi i Vishegradit, i cili përbëhet nga Hungaria, Polonia, Çekia dhe Sllovakia.
Sipas Vuçiqit, të vepruarit si bllok do t’iu jepte vendeve të Ballkanit reputacion më të mirë në Evropë.