Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhje Demokratike e Kosovës pas një takimi të mbajtur të enjten janë pajtuar për fillimin e bisedimeve për krijimin koalicionit qeverisës.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, tha se janë pajtuar që të qeverisin bashkë me LDK-në.
“Kosova ka humbur shumë kohë dhe pritjet e qytetarëve janë shumë të larta. Pa humbur kohë ne kemi filluar bisedimet duke nisur me idenë e përbashkët për një qeverisë sa më efikase dhe një shtet sa më të fuqishëm, synimi jonë është që t’i dalim zot nevojave të qytetarëve dhe ta orientojmë shtetin nga drejtësia, zhvillimi”, tha Kurti.
Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre, Vjosa Osmani, tha se te dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë.
“Sapo zhvilluam takimin tonë të parë me LVV-në për të diskutuar mundësitë e bashkë qeverisjes. Sot kemi diskutuar në nivel të parimeve jo të detajeve më e rëndësishmja se të dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë dhe vullnetin e mirë për të punuar në interes të qytetarëve”, tha Osmani.
Ajo ka shtuar se do të presin numërimin edhe të votave me postë , votave me kusht para arritjes së një marrëveshje finale.
Gjatë këtij takimi, Kurti dhe Osmani kanë bërë të ditur se është diskutuar sa i përket reduktimit të numrit të ministrive dhe zëvendësministrave. Po ashtu, ata kanë bërë të ditur se do të krijohen grupet punuese të të dyjave partive për të diskutuar detajet dhe për të harmonizuar programet.
Para nisjes së këtij takimi, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili në bazë të rezultatit të zgjedhjeve pritet të jetë mandatari i ardhshëm për kryeministër të Kosovës ka thënë para medieve se ky është fillimi i qeverisë së re.
“Ky është fillimi i Qeverisë së re, po punojmë për koalicion qeveritar që do ta çkapë shtetin nga e keqja”, tha Kurti.
Ndryshe nga e kaluara, kur pas zgjedhjeve parlamentare ishin shënuar vonesa të theksuara në konstituimin e institucioneve qendrore, duke iu referuar zgjedhjeve të fundit të 6 tetorit, analistët politikë në Prishtinë nuk parashikojnë se do të ketë vonesa të mëdha.
Bazuar në rezultatin preliminar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës të cilat kanë fituar më së shumti vota, pretendojnë që të krijojnë së bashku qeverinë e ardhshme të Kosovës.
Në zgjedhjet e fundit, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani janë parë si dy figurat kryesore për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës. Ndërkaq tani kur rezultati zgjedhor e favorizon liderin e Vetëvendosjes, Osmani është shprehur e gatshme të bashkëpunojë me Kurtin për krijimin e qeverisë së koalicionit.
“Koalicioni LDK-LVV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Osmani në Facebook./rel