Katër ministra të Jashtëm të Bashkimit Europian bëjnë thirrje për nisjen e bisedimeve të pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Tomáš Petříček, ministri çek i Punëve të Jashtme, Péter Szijjártó, ministri hungarez i Punëve të Jashtme, Jacek Czaputoëicz, ministri polak i Punëve të Jashtme dhe Miroslav Lajčák, ministri Sllovake i Punëve të Jashtme kërkojnë që dy vendeve të Ballkanit Perëndimor t’i hapen negociatat, raporton politico.eu.
“Sot, 16 vjet pas samitit të Selanikut, ne jemi të kënaqur të shohim se zgjerimi ka provuar të jetë një nga politikat më të suksesshme të BE-së.
Progresi i bërë nga vendet e Ballkanit Perëndimor është mbresëlënës. Ata kanë transformuar ekonomitë, gjyqësorin, administratën publike dhe sigurinë”, thuhet në letrën e 4 ministrave të Jashtëm të BE.
Ndërsa BE vendos nëse do të fillojë bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, katër ministrat thonë se është e rëndësishme të theksohet se të dy vendet kanë përmbushur kriteret që BE përcaktoi, duke bërë reforma të brendshme.
Për më tepër, Maqedonia Veriore ka përmbyllur Marrëveshjen historike të Prespës me Greqinë, duke zgjidhur çështjen disa vjeçare për emrin.
“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë duke pritur me padurim fillimin e një faze të re të procesit të integrimit në BE.
Koha është e gatshme për të marrë një vendim të guximshëm për të ardhmen e jo vetëm këtyre dy vendeve, por edhe të gjithë Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
Një vendim pozitiv do të dërgojë një sinjal të qartë se BE njeh rezultate konkrete në përmbushjen e kushteve të përcaktuara.
Ai do t’i sigurojë rajonit një impuls të ri për reforma dhe transformime të mëtejshme“, thonë 4 ministrat evropianë.
Sipas ministrave, vetëm përmes integrimit të Ballkanit Perëndimor, BE mund të jetë e plotë dhe interesat e saj afatgjata të mbrohen siç duhet.