Komisioneri për zgjerim, Johannes Hahn, i ka kërkuar liderëve evropian që të mbështesin propozimin e Komisionit dhe të vendosin pozitivisht për Maqedoninë dhe Shqipërinë.
Han tha se një vendim negativ do të kishte pasoja në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, pasi sipas tij arsyeja e vetëm e tyre për normalizimin e raporteve është perspektiva evropiane.
“Nëse edhe pas të gjitha detyrave dhe obligimeve që Maqedonia e Veriut i arriti, ajo tani nuk shpërblehet në mënyrë adekuate, atëherë nuk ka alternativë për Serbinë dhe Kosovën që të hyjnë në dialog substancial për bashkëjetesën e ardhshme për të dyja vendet për shkak se arsyeja e vetme për ta bërë këtë është perspektiva evropiane- tha Han.
Të njëjtin qëndrim ndau edhe kryeministri Zoran Zaev. Ai parlajmëroi Bashkimin Evropian se nuk mund të presë zgjidhjen e çështjeve të hapura në rajon, nëse nuk vlerëson më parë Maqedoninë e Veriut për arritjen e Marrëveshjes së Prespës.
“Nëse BE-ja nuk arrin një marrëveshje për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, kjo do të thotë se nuk e vlerëson Marrëveshjen e Prespës. Të gjithë thonë se Marrëveshja e Prespës është, për momentin, një nga marrëveshjet më të mira në Ballkanin Perëndimor. Nëse BE “e ndëshkon” këtë marrëveshje duke shtyrë negociatat e anëtarësimit, si mund të pritet që Aleksandar Vuçiç dhe Hashim Thaçi do të gjejnë një zgjidhje për çështjen e Kosovës?”,- është shprehur Zaev.