Pas tërheqjes së ushtarëve amerikanë nga Siria e Veriut, mund të jenë interesa gjeostrategjike, thotë politologu dhe eksperti gjerman Josef Braml. Vështrimi drejtohet nga Irani.
Pas meje le të përmbyset bota? Donald Trump i tërhoqi trupat amerikane nga Siria veriore, duke hapur rrugën për ofensivën ushtarake turke në rajon. Vendimi shkaktoi kritika ndërkombëtare. Thuhet se Trumpit nuk i intereson politika e jashtme strategjike. Por kjo nuk është e vërtetë, thotë politologu Josef Braml. Sepse pas tërheqjes së trupave mund të qëndrojnë interesa gjeostrategjike të SHBA.
“Që Trumpi tërhiqet tani në guackën e tij është një keqinterpretim,” i thotë Josef Bramli DW. Bramli është drejtues i Programit të Amerikës në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë dhe autor i blogut “Eksperti i SHBA”. Sipas mendimit të tij, Shtetet e Bashkuara nuk mendojnë për tërheqje nga rajoni i Lindjes së Mesme. Në vend të kësaj, me tërheqjen e forcave tokësore, SHBA kujdesen që të minimizojnë objektivat për kundërsulme të mundshme. Këto mund të vijnë nga Irani.
Bramli vëzhgon politikën ndaj Sirisë të Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në lidhje me Iranin. Sepse në konflikt me Republikën Islamike, amerikanët ende nuk e kanë thënë fjalën e fundit. “Unë besoj se SHBA duan që me goditje parandaluese ta pengojnë Iranin të armatoset me armë bërthamore,” thotë Josef Braml.
Po të ndërmarrin SHBA sulme ajrore kundër Iranit, do të priten kundërsulme. Për shembull, objekt i Iranit mund të bëhen trupat amerikane të vendosura në Sirinë pranë. “Kur SHBA kanë më pak ushtarë në rajon, ata do të kenë edhe më pak viktima të mundshme, që Irani të mund të godiste në një goditje të dytë,” thotë Josef Braml. Dw