Kryeministri Edi Rama dhe ministri në detyrën i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj ndodhen në konferencë për mediat pas vendimit negativ të Këshillit të Evropës për negociatat e Shqipërisë me BE. Lideret e BE nuk arritën një marrëveshje për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ai tha se Franca ka kërkuar reformim të brendshëm të BE si dhe të vetë procesit të anëtarësimit të vendeve aspirantë.
“Tanimë e ka thënë jo vetëm me shkrim KE po e keni dëgjuar vetë, të thuhet nga një pjesë e madhe e kryeministrave dhe kancelaria e Gjermanisë, nga ana tjetër dua t’ju them se kam marrë një numër të madh mesazhesh nga një pjesë e kryeministrave të pranishëm ne takim, kemi qenë në kontakt dhe dje dhe mbrëmë.
Kam komunikuar edhe me presidentit e Francës, dhe nëse duam të shikojmë drejt në sy të vërtetën, është ajo që kam thënë më parë, duke e parë nga të gjitha kontaktet, se procesi po shkonte drejt një përplasje qasjesh mes Francës dhe Gjermanisë dhe një pjesë të konsiderueshme të frontit që ishte për një “PO” të qartë, ndërkohë që Gjermania bëri një lëvizje për të pasur një qasje kompromisi duke i vënë një POR PO-së, dhe nuk ka pasur asnjë hapje nga ana e tij, për të gjitha ato që i dëgjuat vetë, dhe në konferencën e shtypit i tha ndoshta më shkoqur se herët e tjera, unë i kam dëgjuar edhe më shkoqur se aq, Franca nuk pranon të shkohet me të njëjtin proces, duan reformim të brendshëm të BE dhe të procesit të integrimit, deri në pikën të arrihet në një tjetër objektiv”, u shpreh kreu i qeverisë.
Rama deklaroi gjatë fjalës së tij se është e tëpërt kur i shtohen bishta kësaj që është thelbësore: jo po azilantët, jo po kjo, jo ajo, këto janë bishta.
“Në këtë situatë, cilido nga vendet që janë sot në BE dhe të priste mbrëmë konsensus, nuk do kishte marrë dot. Tema është spostuar gjetkë. Kemi marrë një refuzim për tu marrë në konsideratë për celjen e negociatave mbrëmë, por nuk kemi marrë asgjë më shumë se kaq, rruga jonë është e njëjta pa asnjë ndryshim, se i kemi bërë dhe do vazhdojmë t’i bëjmë reformat për vendin tonë“, tha Rama.