Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se marrëveshjet që Turqia i arriti me SHBA-të dhe Rusinë mbi Sirinë kanë kaluar në histori si një “sukses politik”.
Kryediplomati turk, në Panelin Editorial të Anadolu Agency (AA), tha se me përpjekjet e Turqisë është parandaluar shteti terrorist që terroristët dëshironin të krijojnë në veri të Sirisë. Duke iu referuar operacionit “Burimi i Paqes”, Çavuşoğlu tha se ky operacion u bë pikë kthese për të ardhmen e Sirisë.
“Dy fuqitë më të mëdha në botë pranojnë legjitimitetin e operacionit të Turqisë ‘Burimi i Paqes’ në veri të Sirisë”, tha Çavuşoğlu, duke iu referuar SHBA-ve dhe Rusisë.
Çavuşoğlu theksoi se terroristët e YPG/PKK-së do të largohen 30 kilometra larg në jug nga kufiri i Turqisë, përfshirë edhe nga qyteti sirian Qamishli.
“Në zonën ku zhvillohet operacioni ‘Burimi i Paqes’, nëse përballë nesh shfaqet ndonjë element terrorist, ne do t’i neutralizojmë ato”, tha Çavuşoğlu.
Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” për të eliminuar terroristët nga Siria veriore në lindje të lumit Eufrat, në mënyrë që të sigurojë kufijtë e Turqisë, të ndihmojë në kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe të garantojë integritetin territorial të Sirisë.
Më 17 tetor, Ankaraja ra dakord me Washingtonin për të pauzuar operacionin e saj për 120 orë, në mënyrë që të lejojë tërheqjen e terroristëve të YPG/PKK-së nga zona e sigurt e planifikuar.
Dje, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, zhvilluan një takim “historik” në qytetin bregdetar rus Soçi vetëm disa orë para përfundimit të pauzimit të operacionit turk.
Ankaraja dhe Moska arritën një marrëveshje sipas të cilës brenda 150 orëve terroristët e YPG/PKK-së do të tërhiqen 30 kilometra në jug nga kufiri i Turqisë me Sirinë veriore. Marrëveshja po ashtu parashikon patrullimet e përbashkëta të forcave të sigurisë nga Turqia dhe Rusia në rajon.
Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.