Në fillim të vizitës dy ditore zyrtare në Kroaci, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është takuar me homologen e tij kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç, me të cilën ka biseduar për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, për fqinjësinë dhe procesin e avancimit të shteteve të rajonit drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s.
Pas takimit, të dy presidentët vlerësuan marrëdhëniet midis Kroacisë dhe Shqipërisë si partnere dhe miqësore, të konfirmuara nga takimet e rregullta të nivelit të lartë kroato-shqiptar.
“Për shekuj me radhë, Kroacia ka qenë një strehë për shumë shqiptarë dhe shqiptarët ishin miq të Kroacisë kur neve na duheshin më së shumti, gjatë Luftës së Atdheut”, tha presidentja kroate, duke shtuar se pakica shqiptare e cila ka një përfaqësues në parlamentin kroat, është një lidhje e fortë midis dy vendeve.
Grabar-Kitaroviç theksoi se Kroacia do të jetë e përkushtuar për të arritur anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ndërsa theksoi se të dy vendet së bashku shënuan 10-vjetorin e anëtarësimit në NATO.
Meta shprehu kënaqësinë se edhe Maqedonia e Veriut gjithashtu do të bëhet anëtare e NATO-s, duke e vlerësuar atë si të rëndësishme për stabilitetin e fqinjësisë.
“Shpreh keqardhje të thellë që Këshilli Evropian nuk arriti konsensus për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. E konsideroj këtë një gabim të madh, një mesazh të gabuar”, tha Grabar-Kitaroviç.
Ajo shtoi se të dy vendet e merituan atë, si përmes reformave të brendshme ashtu edhe duke adresuar çështjet bilaterale.
“Gjatë presidencës së saj, Kroacia do të bëjë gjithçka që është në fuqinë tonë për të argumentuar anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht fillimin e negociatave për anëtarësimin në BE”, tha Grabar-Kitaroviç.
Presidenti Meta, nga ana e tij, tha se vlerëson angazhimin e Kroacisë, por edhe të Bullgarisë dhe Greqisë, mbi çështjen e hapjes së negociatave me BE-në.
“Premtuam të shtojmë përpjekjet tona në javët e ardhshme për të marrë një përgjigje pozitive sa më shpejt të jetë e mundur. Ne jemi të kënaqur që fokusi i presidencës kroate të Këshillit të BE-së do të jetë projekti që të gjitha vendet e rajonit të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian”, tha Meta.
Ai shtoi se pret që Kroacia të bëjë çka gjithçka që të hiqen vizat për banorët e Kosovës dhe se do të vjen deri te liberalizimi i vizave duke marrë parasysh hapat e ndërmarra në këtë vend.
“Migracioni është një sfidë e veçantë për Kroacinë dhe Shqipërinë. Ne doemos duhet të kërkojmë zgjidhje të qëndrueshme dhe të përhershme për konfliktet dhe krizat që provokojnë migracionin dhe të angazhohemi për përpjekjet e stabilizimit. Po ashtu, kufijtë në Evropën Juglindore duhet të ruhen dhe të sigurohen, ndërsa migracioni i paligjshëm duhet të zmbrapset”, tha Grabar-Kitaroviç.
Presidentja kroate tha se kompani të shumta kroate janë të interesuar për të investuar në Shqipëri, veçanërisht në fushat e IT teknologjisë, industrisë ushqimore dhe ndërtimeve, ndërsa vlerësoi projektin e gazsjellësit Adriatiko-Jon dhe lidhjen e tij me gazsjellësin Trans-Adriatik si të rëndësishëm për sigurinë e energjisë së të dy vendeve dhe diversifikimin e energjisë.
Të dy presidentët diskutuan gjithashtu për ndotjen e detit nga mbeturinat që sjellin rrymat në bregdetin kroat nga shtetet jugore, veçanërisht gjatë muajve të dimrit.
Meta dhe Grabar-Kitaroviç njoftuan angazhim personal në edukimin e ruajtjes detare pasi plastika që përfundon në det kthehet në zinxhirin ushqimor. Sipas institucioneve globale, çdo person konsumon plastikë çdo javë në peshën e kartelës kreditore.
Presidentja kroate vitin e kaluar vizitoi Shqipërinë, ndërsa sot presidentit shqiptar i dha medaljen më të lartë kombëtare të Kroacisë “Urdhri i Madh i Mbretit Tomislav me Kreshmën dhe Danica e Madhe”.