Qeveria e Shqipërisë ka rishikuar me ulje ritmet e rritjes ekonomike për këtë vit në 3,4 % nga 4.3 % në fillim të vitit. Lajmin e dha ministrja e Financave, Anila Denaj, gjatë raportimit në Kuvend për ndryshimet në buxhetin e vitit 2019.
Denaj tha se, rishikimi me ulje i rritjes ekonomike do të shoqërohet me një nivel më të ulët të të ardhurave të programuara në buxhetin e këtij viti, por ajo shtoi se buxheti do të ruajë parashikimet e fillimvitit në treguesit e borxhit dhe deficitit buxhetor. Ministrja tha se sektorët e ekonomisë që e ndikuan negativisht rritjen ishte rënia e prodhimit të energjisë dhe mbyllja e lojërave të fatit, dhe shtoi se, sektorët e industrisë, ndërtimit dhe transportit ishin me rritje.
Deri në fund të vitit, qeverisa synon të mbajë deficitin buxhetor poshtë nivelit 2 % dhe borxhin publik rreth 64 % e PBB-së, tha ajo.
Sipas saj, treguesit kryesorë të ekonomisë në tremujorin e dytë kanë pasur ecuri të qëndrueshme. Punësimi është rritur në rekorde historike dhe kredia për ekonominë është përmirësuar.
Qëndrueshmëria fiskale publike dhe konsolidimi fiskal do të vijojnë edhe këtë vit, ndërsa deri në shtator, realizimi i buxhetit mbetet në parametrat e parashikuar, tha Denaj. Ajo shtoi se rimbursimi i TVSH-së është rritur me 40 % më shumë se vitin e kaluar, teksa kontributet nga sigurimet shoqërore janë rritur ndjeshëm.
Sipas saj, ndryshimet në buxhetin e vitit 2019 synojnë kompensimin e zërave të shpenzimeve buxhetore, që u prekën në fillimvitin 2019, për efekt të financimit të Paktit për Universitetin dhe reflektimin e ecurisë optimale të të ardhurave vendore gjatë gjysmës së parë të vitit 2019.
Sipas Denajt, ndryshimet synojnë garantimin e financimit të fondit rezervë të buxhetit të shtetit, në vijim të situatës emergjente të krijuar pas tërmetit të datës 21.9.2019 dhe rritjen e eficencës së përdorimit të burimeve publike për rishpërndarje drejt projekteve të investimeve me progres të mirë deri tani./monitor