Këshilli Rajonal i Lombardisë ka ndërmarrë një iniciativë në ndihmë të vogëlushit 11-vjeçar shqiptar, Alvin Berisha, të mbetur në kampet e Sirisë.
Prej mbrëmjes së të hënës, 4 nëntor 2019, kulla Pirelli në Milano do të mbajë në fasadën e saj për dy ditë mbishkrimin “Free Alvin” (“Lironi Alvinin”).
Për herë të parë, rasti i Alvin Berishës, bllokuar në një kamp burgu të Sirisë pas rekrutimit të nënës së tij në radhët e ISIS, U denoncua nga emisioni italian investigativ “Le Iene”.
Kur ishte në moshën 6-vjeçare Alvin u mor nga e ëma e tij, një praktikante myslimane dhe u larguan drejt Sirisë për t’iu bashkuar ISIS-it, duke braktisur pjesën tjetër të familjes në Itali.
Propozimi, i parashtruar nga drejtuesi i Forza Italia Gianluca Comazzi, gjeti konsensusin dhe miratimin unanim të Zyrës Presidenciale të Këshillit Rajonal të kryesuar nga Alessandro Fermi.
Nisma frymëzohet nga mocioni urgjent për rastin e Alvinit të vogël, të paraqitur nga këshilltarja Forza Italia Paola Romeo më 22 tetor të kaluar dhe u votua unanimisht nga Dhoma.
Dokumenti detyroi Këshillin Rajonal të Lombardisë të nxiste qeverinë kombëtare të krijojë kontakte diplomatike me qeverinë shqiptare për lirimin e 11-vjeçarit.
“Falënderoj Presidentin Fontana, Presidentin e Këshillit Fermi dhe drejtuesin Comazzi që ndërmorën një veprim të rëndësishëm që synon të sensibilizojë si Qeverinë shqiptare ashtu edhe Qeverinë Italiane për lirimin e Alvinit nga kampi Al-Hol në Siri” , nënvizon Paola Romeo.
“Shpresoj që sa më shpejt të jetë e mundur të bëhen veprimet e dobishme për të arritur në një përfundim pozitiv për këtë histori të trishtueshme. Do ta ndjek historinë e Alvinit deri në fund dhe falënderoj gjithashtu redaksinë e emisionit televiziv ‘Le Iene’ për mbështetjen e çmuar që na ka dhënë që në fillim. Shpresoj se ‘Alvin Free’ të mund të bëhet realitet sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ajo.