Presidenti Stevo Pendarovski, javën e ardhshme do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Francë, ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, në të cilin do të jetë pjesëmarrës dhe presidenti francez Emmanuel Macron.
Pendarovski do të ketë mundësinë të dëgjojë drejtpërdrejtë qëndrimin e Macron mbi perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe të përcjellë personalisht argumentet dhe pritjet e vendit.
Kryeministri Zoran Zaev e ka përshëndetur takimin e paralajmëruar të presidentit Stevo Pendarovski me kolegun e tij francez, Emmanuel Macron dhe konsideron se ajo mund të jetë në ndihmë dhe mundësi edhe njëherë të bisedohet dhe të paraqiten argumentet që janë në anën tonë rreth procesit të zgjerimit.
“Jam i lumtur që përfundimisht përfaqësuesi jonë i lartë, presidenti Pendarovski do të mund të shihet me njeriun e parë të Francës mike. Kjo për ne është një mundësi që edhe një herë të bisedohet me gjitha argumentet që janë në anën tonë, që presidenti Macron edhe njëherë t’i rishikojë situatat në frymën e procesit paralel të metodologjive të reja, pasi është me rëndësi jo vetëm për Republikën e Maqedonisë së Veriut, apo Ballkanin Perëndimor por edhe Evropën. Me rëndësi është me të vërtetë për mbarë kontinentin evropian, si dhe për BE-në. Besoj se do të jetë mundësi e shkëlqyeshme t’i paraqesim qëndrimet dhe argumentet tona lidhur me këtë çështje”, ka thënë Zaev duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas tryezës së rrumbullakët në Kuvend për ndryshimin e modelit zgjedhor.
Ai ka shfaqur shpresë se në të ardhmen do të mund të takohet edhe ai me Macronin, duke shtuar se “tre- katër muaj ka kërkuar takim”.
“Shpresoj se në të ardhmen edhe unë do të kem atë mundësi. Unë jam i lumtur që presidenti do të takohet dhe e dini tre katër muaj kam kërkuar edhe unë takim, me siguri edhe presidenti Pendarovski ka kërkuar takim me presidentin Macron, por jam i lumtur që përfaqësuesi i parë i vendit tonë do të realizojë takimin i cili mund të jetë vetëm në ndihmë të vendit”, ka thënë Zaev.