Ekskluzivisht për ARGUMENTUM
Nga Dr. Jorgji KOTE*
9 Nëntori i sivjetëm shënon 30 vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit. Shumë është folur e shkruar për të. Sepse bëhet fjalë për një mur jo do si do, por 156 km të gjatë, që ndante gjithë Berlinin dhe rrethinat e tij, me katër breza pengues të fortifikuar; ishte sofistikuar gjatë 20 viteve që kushdo që do tentonte ta kalonte brezin e parë, të vritej në brezin e “ vdekjes” apo në kanalin me ujë dhe me 56 kulla vrojtimi. 138 vetë u vranë gjatë 28 viteve të atij impianti vdekjeprurës, nga 13 Gusht 1961 kur u ngrit deri më 9 Nëntor 1989. Në fjalën e tij të zjarrtë në Berlinin Perendimor pranë Murit më 26 Qershor 1963, Presidenti Kenedi tha se të gjithë ata që mendojnë se komunizmi ka dhe të mira, le të vijnë këtu në Berlin” 9 Nëntori shënoi në Gjermani dhe kudo fundin e Luftës së Ftohtë, Perdes së Hekurt dhe fillimin e ribashkimit gjerman dhe atij evropian.
Mirëpo, ndryshe nga sa mund të mendojnë disa, dita dhe festa zyrtare gjermane e ribashkimit gjerman nuk është 9 Nëntori 1989 por 3 Tetori 1990. Po përse ka ndodhur kjo “ anomali” kur gurin e themelit për këtë ribashkim e vendosi pikërisht 9 Nëntori 1989? Po e sqarojmë fare shkurt më poshtë, pasi përcaktimi i kësaj dite tregon dhe mençurinë politike gjermane, e cila di si t’i akomodojë pozicionet e të gjitha palëve, që askujt të mos i mbetet qejfi, madje të ketë pjesën e vet në historinë e sotme dhe që kësaj feste madhështore të mos i humbasë shkëlqimi i saj i merituar.
Shkaku dhe arsyeja themelore janë disa “ cene” si thonim në dikur në biogafinë 9 Nëntorit lidhur me të kaluarën e saj që do t’ia zbehnin rëndësinë, jehonën dhe lezetin vetë idesë dhe ditës së Ribashkimit. Më konkretisht:
Më 9 Nëntor 1918, tamam kur Philippe Scheidemann, lideri i njohur social -demokrat shpalli Republikën Demokratike gjermane, lideri komunist Karl Libknecht shpalli krijimin e Republikës Socialiste gjermane. Kjo e fundit nën shembullin e BRSS-së pas Revolucionit të Tetorit, kur Lenini e kishte piketuar Gjermaninë si vendin e parë të ardhshëm komunist e pastaj me radhë tjerat. Pas asaj dite në Berlin pllakosi një gjendje e nderë dhe kaotike me përleshje të armatosura dhe Lufta Civile po trokiste në prag të Portave të Brandenburgut.
Pesë vjet më vonë në të njëjtën datë, Adolf Hitleri që sapo kishte dalë në skenë organizoi atë që në historinë gjermane njihet si “ Puçi i Mynihut” Por ai dështoi dhe Hitleri provoi qelitë e burgut për pak kohë. Aty ai kuptoi se pushtetin duhet ta merrte vetëm me votat popullore e pastaj mund të bënte çtë donte sikurse dhe veproi. 15 vite më vonë, në inatin e tij të papërmbajtur ndaj hebrejve, më 9 Nëntor 1938, Hitleri tashmë në pushtet organizoi Natën famëkeqe të Kristalit. Gjatë asaj nate në Berlin u dogjën dhe shkatërruan 815 butika, 29 magazina të mëdha, 171 apartamente dhe 26 sinagoga të hebrejve, u bënë kërcënime të shumta, etj. Ajo natë i parapriu vendimit të Hitlerit pë “zgjidhjen përfundimtare”, dmth shfarosjen masive të 6 milion hebrejve në dhomat e gazit në kampet e përqëndrimit në Buchenwald, Auschwitz dhe gjetkë. Pjesa tjetër është histori e njohur.
Për pasojë, ribashkimi gjerman nuk mund të caktohej dhe festohej po atë ditë që përkonte me tre nëntorët paraardhës të zinj e të egër. Gjithsesi merita e madhe historike e 9 Nëntorit 1989 krahas të tjerash është se riparoi dhe la në harresë “cenet” e lartpërmendura e bashkë me to edhe 9 nëntorët e zinj e të kuq . Tanimë ai u bë 9 Nëntori i Evropës dhe demokracisë, veçse këtë radhë pa luftë dhe gjak, paqësisht.
Atëhere u hodh për diskutim 4 Nëntori, dita kur në qendër të Berlinit Lindor, në “Alexanderplatz” u zhvillua manifestimi më i madh paqësot me gjysëm milion qytetarë, për herë të parë pa lejen e autoriteteve, ku folën dhjetra personalitete, artistë, etj. Mirëpo dhe kjo datë nuk u pranua, mbasi i përkistevetëm pjesës ish-lindore. Nuk u pranua as 7 Tetori, dita kur filluan protestat masive në Laipzig; e para sepse ajo ngjarje megjithë rëndësinë i takonte vetëm lindjes; së dyti dhe me kryesorja, sepse po atë ditë më 1949 ishte krijuar RDGJ-ja që mundi të mbijetojë vetëm 40 vjet, shteti me jetëshkurtër në botë. Ndaj duhej gjetur një datë tjetër feste, veçse përpara 7 Tetorit 1990 . Kështu u gjykua më e përshtatshme data 3 Tetor 1990.
Përfundimisht, nëse 9 Nëntori shënon politikisht dhe simbolikisht shembjen e Murit të Berlinit dhe ribashkimin gjerman, në aspektin juridik, këtë të fundit e ka 3 Tetor 1990.
Autori është diplomat karriere dhe antar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë; në vitet 2001 – 2006 ka qenë Nr. 2 i Ambasadës sonë në Berlin. Ka shkruar disa libra, duke përfshirë “ Berlini pa mure” dhe shumë analiza politike dhe diplomatike mbi Gjermaninë, BE-në, etj.
/argumentum.al/
© Argumentum