Një në 3 gjyqtarë shqiptarë kanë pasuri marramendëse nga 250 mijë euro deri në miliona dollarë. Shifrat janë bërë publike nga Ambasada e SHBA-së, përmes një videoje ku sqarohet angazhimi i saj në reformimin e sistemit të drejtësisë.
Ambasada informon qytetarët se paga e një gjyqtari është 10 mijë euro në vit. Por nga ana tjetër, ka nga ata që deklarojnë miliona dollarë pasuri në vit.
Për të luftuar pikërisht këtë fenomen, ambasada e SHBA shprehet se ka punuar me partnerë që prej vitit 2003, përmes investimeve në sistemin gjyqësor.
“Në sistemin e vjetër gjyqet me dyer të mbyllura, ryshfetet, vonesat apo dështimet për të nxjerrë vendimet e gjykatave ishin të zakonshme. USAID ka punuar për të përmirësuar sistemin. Nga 2012, USAID ka pajisur gjykatat me teknologji për regjistrimin audio, drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”.
Ambasada e SHBA në Shqipëri shprehet se do të vazhdojë të punojë me partnerët shqiptarë për të ndihmuar ngritjen e një sistemi drejtësie që është transparent, efiçent dhe i lirë nga korrupsioni.