Shqipëria do të përmirësojë më tej barazinë gjinore në duke rritur mundësite ekonomike për gratë me mbështetjen e një huaje prej 10 milionë dollarë të aprovuar nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore.
Banka Botërore njofton se ky financim do të mbështesë përpjekjet e qeverisë për përmirësimin e barazisë gjinore përmes njohjes së bashkëpronësisë së gruas në pasuritë e paluajtshme, krijimit të mundësive për to në aktivitete që gjenerojnë të ardhura, si dhe forcimit të politikave mbi barazinë gjinore.
“Aktualisht qeveria po trajton pabarazinë gjinore në qasjen ndaj mundësive ekonomike për gratë. Ne besojmë se programi i Bankës Botërore do të ndihmojë në kapërcimin e pengesave që lidhen me punësimin dhe përfaqësimin e tyre të suksesshëm në tregun e punës” tha Anila Denaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë.
Në njoftimin e shpërndarë për mediat evidentohet se pavarësisht përmirësimeve të viteve të fundit, kufizime ligjore apo rregullatore së bashku me mangësi në zbatimin e ligjit, ende pengojnë shfytëzimin e plotë të mundësive ekonomike për gratë.
“Sipas vlerësimeve, vendi humbet çdo vit rreth 20 përqind të PBB-së për shkak të të përfaqësimit të ulët të grave në forcën e punës, numrit të lartë të punëve të paguara jo në shkallën e duhur në disa nga sektorët si dhe pagës mesatare më të ulët se burrat në disa nga pozicione të ngjashme pune” evidentohet në njoftim.
“Shqipëria mund të arrijë potencialet e veta vetëm atëhere kur çdokush mund të marrë pjesë dhe kontribuojë aktivisht në ekonomi,” tha Linda Van Gelder, Drejtoresha Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.
“Banka Botërore është e angazhuar të punojë me Qeverinë e Shqipërisë që barazia ekzistuese gjinore të përkthehet në rezultate në tregun e punës dhe mundësi sipërmarrëse për gratë” tha ajo.
Huaja për politikat e zhvillimit është një instrument i Bankës Botërore që mbështet politikat programore dhe masat institucionale të një vendi për të nxitur rritjen ekonomike dhe uljen e varfërisë.
Kjo hua është programi i parë i këtij lloji në Bankën Botërore që ka në fokus barazinë gjinore duke synuar të tregojë se reformat e fokusuara në këtë drejtim mund të sjellin ndikim të dukshëm.
Ai është ngushtësisht i lidhur me Planin Kombëtar të Zhvillimit të Shqipërisë për vitet 2016-2020 dhe mbështet plotësimin e kushteve për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Kjo hua pritet të mbështetet nga një financim prej 50 milionë Euro nga Agjencia Franceze e Zhvillimit.