Mosrealizimi i të ardhurave në raport me atë që planifikohej të mblidhej në fillim të vitit është thelluar dhe më tej gjatë muajit tetor, duke treguar për një vështirësi në mbledhjen e taksave e tatimeve.
Sipas tabelave fiskale paraprake të Ministrisë së Financave, të ardhurat në total për periudhën janar tetor 2019 ishin 383.3 miliardë lekë, me një rritje nominale prej 3.6% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Duke pasur parasysh rritjen ekonomike prej rreth 2.3% dhe inflacionin mesatar të 10 mujorit prej 1.4%, atëherë rritja reale e të ardhurave është zero.
Në raport me planin fillestar të 10 mujorit, që ishte 394.5 miliardë lekë, financave u mungojnë 11.2 miliardë lekë, ose rreth 91 milionë euro.
Vetëm në tetor, mosrealizimi i planit ishte 3.6 miliardë lekë, në raport me tabelat e buxhetit fillestar.
Zëri me realizimin më negativ është TVSH, që sjell një të tretën e të ardhurave në buxhet dhe që është një tregues direkt i konsumit në ekonomi.
Të ardhurat nga TVSH ranë me 4.3% me bazë vjetore për 10 mujorin, ndërkohë që ishin rreth 11.3 miliardë lekë më pak sesa plani.
Të dhënat nuk janë ende të detajuara, por për 9 mujorin efektin kryesor e kishte TVSh e brendshme, me të ardhura që ranë me 22%, si rrjedhojë e përjashtimit të nënkontraktorëve të gazsjellësit TAP nga TVSH-ja, rënies së euro, uljes së eksporteve të energjisë, mbylljes së lojërave të fatit, heqja e TVSH-së për imputet dhe makineritë bujqësore.
Performanca e dobët e TVSH-së është kompensuar nga ecuria e mirë e tatim fitimit dhe të ardhurave personale (kjo e fundit e ndikuar nga ulja e dividendit), që u rritën përkatësisht me 10% dhe 31%, duke mbledhur të dyja bashkë 8.6 miliardë lekë më shumë sesa plani.
Rezultati pozitiv financiar i kompanive në vitin 2018, reflektoi rritjen e fitimit të tatueshëm dhe tatimit të paguar nga ana e tyre në vitin 2019.
Veçanërisht, situata pozitive e sektorit energjitik gjatë vitit 2018 ka lejuar kompanitë e këtij sektori që të paguajnë në Buxhetin e Shtetit gjatë vitit 2019, jo vetëm tatimin mbi fitimin e vitit 2018, por edhe një pjesë të detyrimeve të papaguara nga vitet e kaluara, sipas Ministrisë së Financave.
Pozitiv ishte dhe pushteti vendor, që ka arkëtuar 20% më shumë të ardhurave (+2.5 miliardë lekë mbi planin), si rrjedhojë e hyrjeve të mëdha nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, për shkak të numrit të lartë të lejeve të ndërtimit, kryesisht në Tiranë.
Me rezultatet e 10 mujorit, Ministria e Financave ka bërë dhe një rishpërndarje të të ardhurave dhe shpenzimeve bazuar në Aktin Normativ 2, i cili duhet ende të kalojë në qeveri.
Ndonëse mosrealizimi i planit është i lartë, plani vjetor i të ardhurave ka mbetur i pandryshuar, me 486.7 miliardë lekë.
Financat kanë bërë një rishpërndaje të tij, duke ulur planin nga tatimet e doganat me 2 miliardë lekë dhe atë nga të ardhurat jo tatimore me 1 miliardë lekë. Në kahun tjetër është rritur plani për të ardhurat e pushtetit vendor me 3 miliardë lekë.
Në kahun e shpenzimeve, totali ka mbetur i pandryshuar në 519.7 miliardë lekë, por sërish ka rishpërndarje të vogla.
Shpenzimet korente janë rritur me 2.6 miliardë lekë, ndërsa janë ulur shpenzimet për interesa me 1.6 miliardë lekë dhe ato për fonde speciale po me 1 miliardë lekë, shkruan Monitor.