Franca ratifikoi Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Anëtarësimi i plotfuqishëm i vendit varet nga ratifikimi i Protokollit në Spanjë, por akoma nuk dihet se kur do të përfundojnë negociatat për formimin e qeverisë së re të atjeshme, respektivisht se kur do të fillojë me punë ligjvënësi i ri spanjoll. Sipas Ministres së Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska mbetet vetëm të presim, pasi vendi ka përmbushur në kohë të gjitha reformat e nevojshme për NATO.
Lajmet e mira nga Parisi tregojnë se me të vërtetë si shtet po i realizojmë qëllimet strategjike dhe jam e bindur se ky sukses shtetëror do të na jep fuqi t’i përfundojmë edhe punët tjera. Ka punë që varen nga ne dhe ato i përfunduam tërësisht. Ka punë që nuk varen nga ne dhe duhet t’i presim”-tha Radmilla Shekerinska, Ministre e Mbrojtjes.
Ambasadorja amerikane në vend, Kate Marie Byrnes theksoi se Shkupi do të jetë aleat i rëndësishëm i SHBA-së dhe se kjo do të ndodhë shumë shpejtë.
Jemi shumë të lumtur që për disa muaj Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s. Ashtu siç tha dje sekretari shtetëror, Pompeo, siguria për njerëzit tanë nënkupton mirëpritjen e Maqedonisë së Veriut. Kjo është poashtu e rëndësishme për njerëzit e Maqedonisë së Veriut, të cilët gjatë kohë e dëshiruan. Por anëtarësimi në NATO ka edhe kërkesa, obligime rreth sigurisë”-pohoi Kate Marie Byrnes, Ambasadore e SHBA-së.
Në konferencën ku u diskutua rreth rolit të grave në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, respektivisht Rezolutës 1325, u nënvizua nevoja për arritjen e barazisë gjinore nëpër institucione. Me strategjinë më të re të NATO-s synohet të sigurohet integrimi, inkluziviteti dhe integriteti i grave në misionet dhe operacionet ushtarake. Në ushtrinë e vendit vetëm 10% janë gra, ashtu që Shekerinska u zotua se numri do të rritet në vijim./alsat