Mediat evropiane e quajnë Ivan Krastev “zëri i Evropës Lindore“. Në librin “The Light that Failed”, jepen shpjegimet e tendosjeve Lindje-Perëndim. Libri i autorit, Ivan Krastev është përkthyer në 15 gjuhë të ndryshme.
DW: Ju quajnë “zëri i Evropës Lindore”, ju fokusoheni tek dallimet e tensionet mes Lindjes e Perëndimit. Të flasim për to…
Krastev: Ekzistojnë tre linja dallimesh në Evropë. Humnera më e madhe nuk është mes Perëndimit dhe Lindjes, por mes qyteteve të mëdha dhe rajoneve rurale. Dallimi mes Vjenës dhe Budapestit për shembull, është shumë më i vogël se sa dallimi mes disa qyteteve dhe zonave rurale në Austri apo Hungari. Linja e dytë e dallimeve ka të bëjë me dallimet mes brezave. Por mendoj se linja e tretë është më e rëndësishmja. Kur shikon hartat e vitit 1900 në Evropë, asokohe nuk ka pasur ndonjë ndarje të qartë. Perëndimi është etnikisht homogjen, kurse Lindja europiane ka mjaft diversitet kulturash. Pas shekullit të 20-të, pas dy luftërave botërore, nacionalizmit, regjimeve komuniste dhe spastrimeve etnike, gjendja ka ndryshuar. Evropa Lindore është sot e hegjemonizuar, ndërsa struktura etnike në Perëndim është e shumëllojshme.
Një nga fjalët kyçe në libër është “imituesi”, ndërsa në një nga citatet thuhet se – “Perëndimi e ka fituar Luftën e Ftohtë, por e ka humbur vetveten”. Si mund ta gjejnë “Perendimi” dhe Evropa veten?
Krastev: Po, “imituesi” shumë shpejt e kupton, se jeta në vendin e papagajve ka edhe anët e errëta. Perëndimi ka humbur identitetin e vet, si një demokraci liberale, ka humbur vizionin për botën. Në këtë kuptim ka humbur – vetveten. Sot Evropa është një nga humbësit kryesor të shkatërrimit të rendit liberal. Ndaj BE duhet të gjejë një identitet të ri politik. Emanuel Macron e quan këtë “Evropë sovrane”, komisionerja e ardhshme e BE Ursula von der Leyen flet për “një Komision gjeopolitik të BE”. Por esenca është e njëjtë: Lidhjet tradicionale me SHBA (që luajnë një rol vendimtar për sigurinë e Evropës) duhet të ruhen sipas mundësive dhe t’u përshtaten realitetit.
Por në fakt Evropa nuk mund të mbështetet tek fuqia mbrojtëse e një partneri përtej Atlantikut. BE po përpiqet të gjejë këtë identitet gjeopolitik, por këtë e bën me shumë kujdes – për dy shkaqe. Së pari, për shkak se ndërprerja e përshpejtuar e partneritetit mund të çojë tek një krizë e re në BE, sepse disa vende (si Polonia për shembull) e konsiderojnë SHBA-në si garantues të sigurisë. Dhe e dyta, evropianët po përpiqen me të gjitha fuqitë që ky hutim të mos vërehet. Hutimi në një botë ku gjërat kanë ndryshuar. Në një botë, ku nuk ekzistojnë më aleancat që janë ndërtuar mbi idetë e sigurisë së evropianëve. Në një botë, ku jo Kina dhe Rusia, por SHBA dhe Donald Trumpi kontestojnë vlerat dhe sigurinë e Evropës.
Nëse BE është e hutuar, atëherë gjërat duhet të ndryshojnë apo jo?
Krastev: Në Evropë po ndeshen dy strategji të ndryshme. Në njërën anë është Gjermania, e cila tërë kohën po përpiqet që ndryshimet të jenë sa më të kujdeshme dhe të kufizuara. Politika e Donald Trumpit është kaluese dhe ne duhet të mbrojmë sa më shumë që është e mundur politikën e status quo-së, duke mos pranuar se gjërat rreth nesh kanë ndryshuar. Ndryshe mund të shpërthejë paniku dhe BE të paralizohet – kështu mund të përshkruhet pozicioni gjerman. Në anën tjetër kemi Macronin, i cili do që BE të ndryshojë menjëherë – jo vetëm në politikën ekonomike, por edhe në mënyrën e marrjes së vendimeve, sepse pas pesë-gjashtë vitesh do të jetë tepër vonë. Por problemi i Macronit është se ai flet pothuajse me vargje lirike. Ai apelon për një ndryshim të guximshëm, por në rastet konkrete tregon dobësi. Përderisa Macroni mund të konsiderohet si një poet, Berlini merr rolin e një kontabilisti, i cili në mënyrë të bindshme tregon për rreziqet e ndryshimeve. Por njëkohësisht pohon se këtu ekziston edhe rreziku që gjërat të mos ndryshojnë fare.
Emannuel Macroni i ka bllokuar së fundmi edhe negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. A është ky vizioni i tij për ndryshime në BE?
Krastev: Macroni ka gabuar tek çështja e zgjerimit të BE. Ai ka bllokuar integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, pa menduar fare se cilat mund të jenë pasojat e këtij veprimi për tërë Ballkanin Perëndimor. Ai më shumë pretendonte që Bruskelit dhe Berlinit t’i dërgojë sinjalin se integrimet evropiane nuk duhet të vazhdojnë në këtë mënyrë, si një fenomen i pavarur nga zhvillimet brenda BE. Por gjesti i tij në fund mund të ndihmojë vet vendet e Ballkanit Perëndimor. Nuk është e tepruar nëse them se, nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të kishin marrë një datë të caktuar për fillimin e negociatave, ato do të harroheshin për dhjetë vitet e ardhshme, pavarësisht se çfarë do të ndodhte në Ballkan. Mendoj se Franca shumë shpejt, ndoshta nga fundi i marsit, pas zgjedhjeve lokale, do të mbështesë procesin e zgjerimit. Macroni gjendet i izoluar në çështjen e zgjerimit të BE. Ndaj ai do të përpiqet që të përfitojë nga kjo gjendje, madje duke e shtyrë përpara procesin e zgjerimit. E gjitha për të dëshmuar se ai nuk është kundër zgjerimit, por kundër gabimeve në konceptin e deritanishëm të zgjerimit.
Ivan Krastev është një nga intelektualët e njohur evropianë sot. Ai drejton “Qendrën për Strategjithë Liberale” në Sofje. Libri i tij i fundit, “The Light that failed” është vlerësuar e diskutuar shumë në mediat europiane.
Intervistën e zhvilloi Alexander Andreev