Në intervistën e tij ekskluzive për A2, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev nuk mund të mos flasë edhe për faktorin shqiptar në vendin e tij, faktor të cilit ai mendon se tashmë i ka dhënë prova të mjaftueshme për t’ i dhënë besimin e votës.
“Jam maqedonasi i parë që lufton hapur për shqiptarët, kam shenja në fytyrë për këtë, por jam krenar. Kam humbur disa vota maqedonase, por kjo është e ardhmja e këtij vendi multietnik”, thotë Zaev.
Sipas tij, diferenca me qeveritë e tjera në të kaluarën qëndron tek fakti se janë kryer “shumë ndërhyrje në infrastrukturë, pa pyetur kush jeton aty, çfarë besimi kanë. Kjo ndodh për herë të parë në Maqedoninë e Veriut. Kur i pyesni shqiptarët ata thonë qartë se e duam këtë vend, por tani e ndjejmë se edhe vendi na do ne. Pse ndodh kjo? Sepse të gjithë trajtohen si të barabartë”./a2cnn