Partia Konservatore e kryeministrit britanik, Boris Johnson, udhëheq bindshëm në zgjedhjet e parakohshme parlamentare me 364 deputetë, tregojnë rezultatet paraprake.
Kjo do të thotë se Konservatorët kanë dhjetëra deputetë më shumë se shumica e nevojshme prej 326 ligjvënësish për të formuar qeverinë.
Zgjedhjet e përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar u mbajtën të enjten.
Sipas rezultateve paraprake, Partia Laburiste siguroi 203 deputetë, Partia Kombëtare e Skocisë 48 dhe Liberal-Demokratët 11.
Johnson tha se partia e tij ka siguruar mandat të fuqishëm për të përfunduar Brexit-in, apo daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.
“Jo vetëm kaq, por edhe ta bashkojmë vendin dhe ta çojmë përpara”, tha Johnson.
“Mendoj se këto janë zgjedhje historike që na japin mundësinë të respektojmë vullnetin e qytetarëve, ta ndryshojmë këtë vend për më mirë dhe të hapim potencialin e të gjithë qytetarëve të tij”, shtoi Johnson.
Përmes një postimi në Twitter, ai i falënderoi qytetarët britanikë dhe tha: “Jetojmë në demokracinë më të madhe në botë”.