Ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov i është përgjigjur Akademisë Bullgare të Shkencave dhe Arteve e mohon ekzistimin e gjuhës maqedonase, duke thënë se ajo është një dialekt dhe e folme rajonale e gjuhës bullgare.
“Procesi për gjuhën është shumë i ndjeshëm. Nuk mundet që në vitin 2019, dy shtete fqinje evropiane të mos kenë respekt të ndërsjelltë. Duhet patjetër të dihet se maqedonasit janë këtu dhe flasin gjuhën maqedonase”, theksoi ndër të tjera ministri Dimitrov, në një intervistë për Telma.
Ai pranoi se gjuha maqedonase zyrtarisht është kodifikuar më 1945, duke qenë një gjuhë sllave dhe një nga tre gjuhët zyrtare në Ish-Jugosllavi dhe e pranishme në OKB që nga vitet e 70-ta, përcjell INA. Sipas tij, kjo gjuhë është pranuar nga linguistë ndërkombëtarë. Sipas tij, pala bullgare patjetër duhet ta pranojë gjuhën maqedonase.
Akademia Bullgare e Shkencave dhe Arteve tha dje se nuk e njeh gjuhën maqedonase. Në një mbledhje të mbajtur është sjellë vendimi se gjuha maqedonase nuk ekziston dhe se ajo është një normë letrare rajonale apo dialekt i gjuhës bullgare.Akademikët bullgarë kanë vlerësuar se pretendimet se ka gjuhë maqedonase i rrënojmë marrëdhëniet midis dy vendeve. Ata me këtë vendim i janë kundërpërgjigjur Kartës së Akademisë Maqedonase të Shkencës dhe Arteve (AMSHA) të 3 dhjetorit, përmes së cilës jepen fakte të njohura shkencore për gjuhën maqedonase.
Akademia Bullgare e shkencave ka pranuar se vendimi i tyre i djeshëm është reagim i drejtpërdrejt ndaj Kartës së AMSHA. Akademikët bullgarë kanë vlerësuar se pozicioni maqedonas është i rrejshëm dhe i papranueshëm, ndërsa njoftojnë se për vendimin janë konsultuar edhe me institutet e njohura vendore shkencore. Ata kanë cituar edhe shkrime të personaliteteve historike që janë pjesë e historisë edhe në Maqedoni, të cilët kanë shkruar se gjuha që flitet në Maqedoni është bullgare. (INA)