Komisioni Europian ofron 10 milionë Euro grante për integrimin ekonomik rajonal në Ballkanin Perëndimor. Bashkëpunimin rajonal, BE e sheh si një element vendimtar për prosperitet në Ballkanin Perëndimor.
Delegacioni i Bashkimit Europian, (BE) në Tiranë informoi të mërkurën, (18.12.2019) se Komisioni Evropian e konsideron bashkëpunimin rajonal ”element vendimtar për prosperitet në Ballkanin Perëndimor, (BP) dhe një pjesë thelbësore të udhës së anëtarësimit të tij në BE. Një rajon që praktikon një fluks të lirë mallrash, shërbimesh, njerëzish dhe kapitali është një rajon që demonstron përparim drejt BE-së”.
Në këtë kuadër, të mërkurën u nënshkruan tre kontrata të reja financuese me Sekretariatin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), Forumin e Investimeve të 6 Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë së BP dhe Agjencinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit, (GIZ) GmbH. Delegacioni i BE në Tiranë bën me dije se ”kontratat u nënshkruan në kuadër të Javës së CEFTA-s, të kryesuar nga Shqipëria, të konsideruar nga Genoveva Ruiz Calavera , Drejtore për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, si “një moment i rëndësishëm për të vlerësuar përparimin e bërë për rritjen e tregtisë së rajonit”.
”Kjo javë e CEFTA-s, ka qenë shumë e suksesshme me miratimin e angazhimeve të rëndësishme për të liberalizuar tregtinë në shërbime. Kontratat që nënshkruam sot do të kontribuojnë shumë për t’i kthyer këto marrëveshje në rezultate të prekshme në dobi të biznesit dhe operatorëve ekonomikë të rajonit”- citohet nga Delegacion i BE, Genoveva Ruiz Calavera , drejtore për BP, në Komisionin Europian.