Ndarjet në Itali kërcënojnë të pengojnë zhvillimin e mëtejshëm të reformave në Eurozonë. Politikanët po diskutojnë shumë në drejtim të reformave për fondin e shpëtimit të Eurozonës
Pas rimëkëmbjes së krizës së borxhit sovran në vitet 2009-‘15, rregullimet e mëtejshme të arkitekturës së zonës së euros kanë qenë të pakta dhe mbi të gjitha, shumë të ngadalta, shkruan The Economist. Shtetet veriore nuk kanë qenë të gatshme të marrin përsipër risqet ndërkufitare, për aq kohë sa borxhet dhe kreditë me probleme në shtetet jugore ishin më të larta.
Tani, grindjet që kanë shpërthyer brenda njërit prej atyre shteteve të jugut, Italisë, po kërcënojnë edhe atë përparim të vogël që është bërë ndërkohë. Tre janë reformat kryesore: forcimi i Mekanizmit Europian të Stabilitetit (ESM), fondi sovran i shpëtimit të Eurozonës; krijimi i një skeme të përbashkët të sigurimit të depozitave për bankat; dhe krijimi i një buxheti të përbashkët të Eurozonës.
Më 4 dhjetor, ministrat e Financave diskutuan planet për punën e mëtejshme të këtyre “shtyllave”, të cilat supozohet se do të marrin edhe miratimin e shteteve të tjera. Por, takimi që u mbajt më 4 dhjetor, nuk arriti të hedhë dritë mbi shumë çështje. Një prej çështjeve më të rëndësishme ishte edhe nënshkrimi i një traktati të rishikuar të Mekanizmit Europian të Stabilitetit (ESM), por kundërshtimi prej mbi njëmbëdhjetë orësh nga ana e Italisë, bëri që ai të kalohej në axhendën e vitit tjetër. Reformat e planifikuara për Mekanizmin Europian të Stabilitetit (ESM) përfshijnë masa për të rritur mbështetjen si për bankat me probleme ashtu edhe për sovranët.
Rregullat për linjat e tij paraprake të kreditimit, të cilave vendet me probleme mund t’i drejtohen edhe përpara se të humbasin qasjen në tregjet financiare, janë sqaruar. Dhe për të ndihmuar vendet me hua të paqëndrueshme që të rikuperohen, kontratat e reja të obligacioneve të qeverisë do të përmbajnë klauzola që e bëjnë më të vështirë për investitorët të bllokojnë ristrukturimin e borxhit.
Të gjitha këto i janë shpjeguar që në muajin qershor çdo shteti anëtar dhe çdo anëtari të Parlamentit, përfshirë këtu edhe Italinë, e cila, me borxhin e saj të lartë publik dhe me ekonominë e ngadaltë, duket si klienti më i mundshëm për marrjen e një shpëtim të ardhshëm.
Por populistët nga Liga e Veriut dhe Lëvizja Pesë Yje (M5S), partitë që po qeverisnin në qershor, kanë filluar fushatën kundër planeve të tilla. Matteo Salvini, lideri i Ligës së Veriut, thotë se ai nuk është fare në dijeni të këtyre reformave, duke nënkuptuar se Kryeministri kishte vepruar në fshehtësi. Kritikët pretendojnë se reformat do ta detyrojnë Italinë të ristrukturojë borxhin e saj në çdo krizë të mundshme në të ardhshmen. Sipas tyre, klauzolat e reja në kontratat e borxhit, do t’i bënin obligacionet e saj më pak tërheqëse për investitorët.
Por ankesat dhe pakënaqësitë në këtë drejtim vazhdojnë të jenë të shumta. Edhe pse disa vende kanë rënë dakord për paketat e shpëtimit në mënyrë që të kërkojë ristrukturimin, Italia loboi me sukses kundër një gjëje të tillë, shprehet Lorenzo Codogno, një ish-kryeekonomist në thesarin e shtetit italian. Silvia Merler, nga Forumi i Kërkimeve dhe Politikave, Algebris, një grup këshillimor, thotë se hapat e mëparshëm për ta bërë ristrukturimin më të lehtë bënë që obligacionet e Italisë të duken më pak të rrezikshme për investitorët dhe jo më shumë.
Duke përshkruar reformën si shumë të rrezikshme për Italinë, z. Salvini po mundohet që ta kthejë këtë situatë në favor të tij dhe të marrë sa më shumë pikë të mundet prej saj. Nga ana e saj, Lëvizja Pesë yjet (M5S) mund të dëshirojë të japë mbështetjen në këtë drejtim. Por duke vepruar në këtë mënyrë, ajo mund të krijojë një përçarje me partnerin e saj aktual në qeveri, Partinë Demokratike. Populistët nuk dëshirojnë as të rihapin bisedimet për Mekanizmin Europian të Stabilitetit (ESM) dhe as të fitojnë diçka në këmbim nëse bien dakord mbi një fakt të tillë. Por lëshimet kuptimplota nuk duken të mundshme. Rihapja e bisedimeve në një fazë kaq të vonë mund të provokojë largimin e veriorëve.
Progres nuk është vënë re as sa i takon reformës së dytë dhe asaj të tretë. Politikanët vetëm kanë pranuar të fillojnë të flasin për sigurimin e depozitave bankare. Edhe Gjermania nuk është treguar e gatshme ta pranojnë këtë që në fillim, por gjatë muajit nëntor, ministri i saj i Financave, Olaf Scholz, u shpreh se do ta merrte në konsideratë nëse do të bëheshin gjithashtu edhe një sërë rregullimesh të tjera. Buxheti i Eurozonës është një version minimalist i atij të parashikuar për herë të parë nga Emmanuel Macron, Presidenti i Francës, në vitin 2017. Veriorët ngulin këmbë se ai nuk duhet të përdoret për të mbështetur ekonomitë në rënie, dhe se ai duhet të financohet duke përdorur buxhetin shtatëvjeçar të Bashkimit Europian dhe jo shpenzime të reja. Buxheti i BE-së ka qenë vetë subjekt i negociatave të mundimshme për gati dy vjet. Propozimi i fundit alokon 13 miliardë euro (14.4 miliardë dollarë amerikanë) për fondin e zonës së Euros dhe sipas optimistëve, pasi të miratohet, ai mund edhe të rritet edhe më shumë.