Prokuroria e Tiranës ka dërguar për hetim pranë Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion “dosjen” e KED-së, dosje kjo e cila solli përplasje të forta mes Presidentit të Republikës dhe kreut të këtij institucioni mbi ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Kjo lëvizje tashmë do të thotë se hetimet për padinë e Presidentit Meta kundrejt kreut të KED-së, Ardian Dvoranit do t’i kryejë SPAK.
Prokuroria e Tiranës konfirmoi zyrtarisht për mbylljen e hetimit nga kjo prokurori duke shpallur moskompetencë për padinën e Kreut të Shtetit, me pretendimin se Ardian Dvorani është zyrtar i lartë.
Mësohet se prokurori Alket Mersini ka shpallur moskompetencën për shkak të cilësive të veçanta që ka subjekti i kallëzuar, pra kryetari i KED-së, Ardian Dvorani. Deri tani, kjo është e vetmja dosje që Prokuroria e Tiranës ka dërguar pranë Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka kallëzuar kreun e KED-së për veprat “shpërdorim detyre” dhe “përvetësim i titullit”.