Grushta dhe përleshje janë parë në parlamentin serb këtë të premte. Ishin deputetët e partisë opozitare “Dvero”, Bosko Obradovic dhe Ivan Kostic, të cilët nxitën dhunën në Kuvend, pasi hynë në seancë për të shprehur pakënaqësinë që autoritetet serbe nuk po reagonin ndaj miratimit të Ligjit për Lirinë Fetare në Mal të Zi.
Mediet serbe bëjnë me dije se dy deputetët opozitarë u përleshën me drejtuesin e grupit parlamentar të SNS Aleksandar Martinoviç, pas së cilës pasoi një trazirë e përgjithshme.
Me parulla “Vuçiç dhe Milo – vëllezër binjakë” dhe “Serbia, pse hesht?”, ata qëndruan përpara kryetarit të parlamentit dhe pyetën deputetët e koalicionit qeverisës pse nuk po përgjigjen për miratimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Mal të Zi dhe arrestimin e deputetëve të Frontit Demokratik.
Sipas agjensisë së lajmeve Tanjug, Obradoviç filloi të flasë në foltoren e Parlamentit, por asgjë nuk mund të dëgjohej në transmetim sepse mikrofoni ishte fikur.
Anëtarët e mazhorancës në pushtet, Vladimir Marinkovic, Aleksandar Martinoviç dhe Ministri Aleksandar Vulin, iu kundërpërgjigjën . Por situata u përkeqësua duke degjeneruar në grushta e përleshje fizike midis tyre. Kryeparlamentarja Maja Gojkovic u kërkoi deputetëve të ndalnin provokimet dhe të vetpërmbahen.
Situata u qetësua pas disa minutash dhe deputetët u kthyen në karriget e tyre, ndërsa dy deputetët e opozitës u larguan.