Albin Kurti i cili po synon formimin e Qeverisë së Kosovës, thotë se nga janari do të vazhdojnë përpjekjet për formimin e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sipas tij, partia e Isa Mustafës refuzoi pozitën e kryetarit të kuvendit, të cilën e mori nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.
Gjatë bisedimeve me këtë parti për arritjen e një marrëveshje të mundshme qeverisëse, Kurti tha se LVV ia ka dhënë gjysmën e qeverisë partnerit, por që ditën e 24 dhjetorit kjo ofertë u refuzua nga LDK.
Kurti: 80 ditë nuk mjaftuan për të arritur marrëveshjen që kërkohej
“Në janar kemi përpara përpjekjen për arritjen e një koalicioni qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ajo që në shikim të parë dukej lehtë e arritshme, doli të jetë e mundimshme. 80 ditë nuk mjaftuan për të arritur marrëveshjen që kërkohej, pasi këmbëngulej me kërkesa përtej rezultatit nga vota e qytetarit. Ne kemi marrë një mandat dhe një mesazh të qartë nga qytetarët nga zgjedhjet e 6 tetorit. Mesazhi ishte që opozita e djeshme duhej të bëhej qeveria e ardhshme duke e veshur Lëvizjen Vetëvendosje e mua si kryeministër me barrën e arritjes së marrëveshjes, ku qytetarët dërguan edhe një mesazh të bashkëpunimit, kompromisit e të punës së përbashkët. Ne si lëvizje jemi munduar që të reflektojmë këtë mesazh tek qytetarët, kemi dhënë gjysmën e programit dhe gjysmën e qeverisë për partnerin qeverisës, dhe po ashtu kemi ofruar njërin nga dy postet që qytetari na i ka dhënë me 6 tetor, pra ofruam edhe post in e kryetarit të parlamentit, si një kompromis për të arritur marrëveshjen, por edhe për të ndarë e balancuar pushtetin. Oferta jonë gjeneroze u refuzua pasditen e 24 dhjetorit”, u shpreh ai.
Gjatë mbajtjes së mbledhjet të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, Kurti tha se 6 tetori do të jetë datë e shënuar në historinë e Kosovës. Sipas tij, pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, pret edhe arritjen e koalicionit qeverisë, sepse siç theksoi ai nuk ka kohë për vonesa.
Duke folur për vitin që po e lëmë pas, ai ka përmendur edhe ekspertizën mjeko-ligjore nga Zvicra për rastin e Astrit Deharit, që sipas tij, faktoi atë që tani shumë kush e dinte.
Ai u shpreh kritikues ndaj qeverisë së PAN-it, ku tha se i vetmi vendim i mirë ishte dorëheqja në korrik e kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinajt.
Kurti: Asnjë rezultat nuk u shënua në këtë vit
“ Asnjë rezultat nuk u shënua në edukim, e as në shëndetësi, asnjë rezultat në zbutjen e papunësisë dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik. Asnjë rezultat në fushën e energjisë dhe rritjes së pavarësisë energjetike, pa rezultat në fushën e bujqësisë dhe rritjes së produktivitetit. Pa rezultat në uljen e deficitit tregtar, apo të ndaljes së trendit të rritjes së borxhit publik. Zhvillimet në sektorin e drejtësisë ishin po ashtu shumë brengosëse, e aspak shpresëdhënëse. Në krye të prokurorisë u vendos një nga protagonistët e aferës Pronto, asnjë dënim gjykate as këtë vit për monopolet në ekonomi, korrupsionin në evazionin fiskal. Asnjë konfiskim i pasurisë së paligjshme për zyrtarët e lartë të korruptuar”, tha ai.
Kurti shtoi se pjesa e parë këtij viti u karakterizua me ndjekjen e projektit për shkëmbim të territorit, projekt sipas të cilit është i dështuar por që ende nuk ka vdekur si ide, meqë sipas tij, personat të cilët e kishin lansuar këtë ide, ende janë duke qëndruar në po të njëjtat pozita./Rtk